Sporti

Hashani: Çdo ndeshje për ne është si një finale, Kosova do ta ketë vështirë me Rumaninë

09/12/2023 16:41
nga:Mergim Rreci

Rumani-Kosovë, do të jetë 90-minutëshi më i rëndësishëm i këtyre kualifikimeve për Euro 2024 për “Dardanët”, pasi asnjë rezultat tjetër përveç fitores, nuk do t’i kryente punë djelmoshave tanë.

Barazimi me Zvicrën në sekondat e fundit me golin që e shënoi Vedat Muriqi në stadiumin “Fadil Vokrri”, mund të jetë si një katapultë për Kosovën që të ndryshojë historinë e grupit tonë, edhe pse ende në këto kualifikime “Dardanët” nuk e kanë shijuar fitoren e parë.

Tre pikëshi eventual ndaj Rumanisë, do të ishte vital për të shpresuar në mrekullinë dhe pozitën e dytë në grup, edhe pse nuk do të jetë aspak lehtë, sepse e njëjta do të vlente edhe për kundërshtarët tanë të cilët do të bënin një hap gjigant drejt kualifikimit në Evropian.

Trajneri i njohur kosovar, Erdin Hashani është prononcuar për ‘GazetaBlic Sport’, atje ku tha se Kosova do ta ketë shumë të vështirë në ndeshjen e sotme në Rumani.

“Një ndeshje shumë e rëndësishme për ne duke pasur parasysh që nuk e kemi nisur mirë dhe kjo tani po na penalizon që çdo ndeshje për ne të jetë si një finale, sepse nuk na lejohet më të gabojmë. Unë shoh një ndeshje shumë të vështirë, një rezultat pozitiv do të jetë i mirëpritur, por është shumë, shumë e vështirë, sepse nuk po luajmë mirë në fazën e mbrojtjes dhe kjo më bën pak me shpresë për një rezultat të tillë.  Rumania ka shënuar në çdo ndeshje, përjashtimisht ndeshjen kundër nesh. Jemi ne ata që nuk kemi fitore në tre ndeshjet e fundit, por as ata nuk kanë pasur fitore, nga pikëpamja psikologjike janë më të ngarkuar se ne dhe kanë më shumë presion. Këtu kemi një avantazh, se sa do të shfrytëzojmë mbetet për t’u parë. Çdo rezultat tjetër përveç humbjes do të jetë një sukses për ne”, deklaroi Hashani.

Kujtojmë që ndeshja luhet me fillim nga ora 20:45.

/GazetaBlic Sport/