Lajme

Vrasjet në Kosovë/ Ekspertët e sigurisë tregojnë motivet – si duhet të veprohet

09/11/2023 20:31
nga:G B

Një 30 vjeçar u vra sot në Podujevë, derisa kishte dalë me bashkëshorten e tij për të blerë gjëra ushqimore. Ndërsa ajo mbeti e plagosur.

Ende nuk dihen rrethanat që çuan në këtë vrasje që tronditi vendin.

E, raste të tilla të shumta po ndodhin në vend vazhdimisht.

Vera e sivjetme u karakterizua me vrasje që morën disa jetë njerëzish.

Për arsyet pse po ndodhin aq shumë raste të tilla dhe si duhet vepruar, ekspertët e sigurisë kanë dhënë mendimet e tyre.

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ka disa faktorë.

“Ka një mori faktorësh që i bëjnë individët ta marrin drejtësinë në dorë: Së pari, një gjendje ekonomike e vështirë, e cila veçse është bërë kronike; pjesa më e madhe e qytetarëve të vendit nuk mund të përmbushin nevojat e tyre me pagat që i marrin, thjesht, nuk mund të jetojnë nga puna e tyre. Kjo i detyron që të merren edhe me punë të dyta, që në të shumtën janë joligjore (kontrabanda, tregtia me narkotikë, fajdet, prostitucioni…) dhe dihet se në të shumtën e rasteve mosmarrëveshjet në këto punë përfundojnë me vetëgjyqësi”, thotë ai.

Si faktor të dytë ai vlerëson të jetë mosfunksionimi i sistemit gjyqësor.

“Së dyti, mosfunksionimi i sistemit gjyqësor: dihet, për shkak të regjimeve të kaluara pushtuese, shqiptarët nuk kanë mundur t’i rregullojnë ligjërisht problemet pronësore. Dinamikën e zhvillimeve nuk po e përcjellin gjykatat administrative, të cilat po i zvarrisin kontestet civile. Një lëndë civile mesataren e zgjidhjes (nëse zgjidhet) shkon deri në 15 vjet. Edhe nga ky faktor, një pjesë e qytetarëve nuk po hezitojnë që ta marrin në duar drejtësinë, para se t’i drejtohen gjykatës”, shprehet Kajtazi.

Ndërsa, si faktor tjetër për vrasjet e cilëson nivelin edukativ në shkolla.

“Së treti, ka renë niveli edukativ në shkolla; të rinjtë shumë më tepër janë agresiv të ndikuar nga rrjetet sociale, ku ndikohen edhe nga organizata ekstreme, nga “muzika” me porosi ekstreme, etj.”, vlerëson eksperti për Gazeta Blic.

Ai përmend dhe masat që duhet t’i ndërmarrë shteti për të parandaluar raste të tilla.

“Masat që shteti duhet t’i ndërmarrë janë gjithëpërfshirëse në fushat me ndikim që përmenda, si në procesin edukativo-arsimor, ekonomi, gjyqësi…”, deklaron Fadil Kajtazi.

Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala, thotë për Gazeta Blic se duhet të mbahet një takim urgjent nga Policia e Kosovës, Këshilli Prokurorial dhe Gjyqësor.

“Policia e Kosovës, Këshilli Prokurorial dhe Gjyqësor do të duhej të mbajnë një takim urgjent, për të dalë më një analizë brenda strukturave të tyre, se ku po është çalimi institucional”, thotë ai.

Më pas, ai vlerëson se duhet të bëhet një task forcë.

“Pastaj të bëhet një strukturë (task forcë) në bashkëpunim më dy mekanizmat tjerë, që të kemi një produktivitet efikas dhe eficent për të rikthyer sigurinë publike në fokus, e cila ka humbur nga orbita politike institucionale. Siguri si koncept nga ky formacion politik nuk mund të presësh që do mund të japë rezultatet e saja, meqë fokusi është larg realitetit të problemit”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/