Kryetari i Lipjanit dhe Sekretari i LDK-së, Imri Ahmeti ishte i ftuari i radhës në emisionin “20MIN+” të Ridvan Berishës ku foli për gjendjen në Kosovë dhe dha një vlerësim për Qeverinë Kurti. Po ashtu foli edhe për çështjen e Veriut.
“Ka një opinion, ka një vlerësim që nuk jemi mirë. Ka një lloj stagnimi e po duket se po zë bazë me ketë qeverisje. Kosova ka pasur mundësi shumë më mirë, shumë më shpejtë. Unë mendoj se Veriut duhet t’i jepet zgjidhje. Çështja kyqe është zgjidhja e problemit të veriut. Nuk mund ta shmangim përjetësisht, do të vij një ditë që duhet t’i japim zgjidhje. Veriu ka impakt në të gjitha fushat, s’mund të flasim për investime nga jashtë.”, tha ai fillimisht.
Sekretari i LDK-së tha se problemi i veriut është politikë
“Opozita e ka mbështet kur është dashur ta mbështesë Qeverinë, për shembull mbajtja e zgjedhjeve në veri. Problemi është politikë, nuk është ligjor.”, u shpreh ai.
Ahmeti tha se udhëzimi administrativ për tërheqjen e kryetarëve të komunave veriore e komplikon më shumë situatën
“Unë shoh tendencë për t’u shmangur nga zgjidhja e problemit të veriut. Udhëzimet adminstrative vetëm e komplikojnë dorëheqjen e kryetarëve të veriut. Unë nuk shoh zgjedhje ligjore përveç dorëheqjes së kryetarëve. Unë nuk shoh vullnet nga qeveria për zgjidhje por vetëm prolongim. Udhëzimi administrativ nuk është në koordinim me kushtetutën. Me dialogun po shkojm duke shkuar më poshtë.”, shtoi ai.
Imri Ahmeti tha se LDK është ‘pro’ zgjedhjeve dhe u shpreh se beson se kryeministri Kurti do ta qoj vendin në zgjedhje.
“Padyshim që po. LDK nuk do jetë kundër zgjedhjeve se jemi opozitë. Qeverinë do e rrëzoj Albin Kurti. Unë pres që Albini ka me dërgu vendin në zgjedhje. Jo vetëm në politikë, por në çdo sferë kjo Qeveri ka prolonguar çdo gjë.”, tha ai.
Ahmeti foli edhe për deklaratën e presidentes Vjosa Osmani ku iu kundërpërgjigj Emmanuel Macronit, presidentit të Francës.
“Ne nuk jemi në pozicion që mund të vendosim kushte. Të qenurit fanatik i asaj se do bëhet se si them unë, nuk do bëhet ashtu. Nuk mund t’i vendosim kushte Francës.”, u shpreh ai.
Ai e cilësoi shqetësuese frymëm që sipas tij po e krijon pushteti karshi kundërshtarëve.
“Shqetësuese tentimi i një fryme se kush është kundër neve është me Vuçiqin. Diskurs i rrezikshëm. Mentalitet komunist.”, tha kryetari i Lipjanit.
“Nuk mund të mbrohet shteti duke thënë veç ne dijmë. Mentalitet i rrezikshëm për shoqërinë. Qeveria ka kontribut 100% të polarizimit të skajshëm të shoqërisë.”, shtoi Ahmeti.
Sekretari i LDK-së u shpreh se LDK do të hyjë në zgjedhje për vendin e parë
“Nuk pres që do përsëritet momentumi i 14-shkurtit kurdo që ka zgjedhje.”
“LDK në nivel vendi kemi rritje, nuk është e shpejtë, por stabile. Do të kemi një diferencë të vogël me LDK-në. Hyjmë në garë për vendin e parë. Lumir Abdixhiku vazhdon ta ketë mbështetjen brenda LDK-së, mendoj se do rizgjidhet kryetar përsëri.”, u shpreh ai.
Imri Ahmeti foli edhe për problemet brendak komunës së Lipjanit. Ai tregoi se çka po ndodh me shkollën “Vëllëzërit Frashëri”, ku nxënësit e klasave 6-9 po detyrohen të zhvillojnë procesin mësimorë në objektin e shkollës së Mesme Profesionale “Adem Gllavica”.
“Rritja e popullësisë në qytet po e dynd shkollën “Vëllëzërit Frashëri”. Çdo vit po shtohet numri 150-200 nxënësa në këtë shkollë. Po ndërtohet që 6-vite shkolla e mesme “Adem Gllavica” nga minsitria e Arsimit po shpresoj që këtë vit të përfundoj.”, tha ai duke shtuar se prindërit nuk po i dërgojnë fëmijët te shkolla tjetër fillore në qytet “Ismail Luma” pasi po ju duket larg nga qendra e qytetit.
Ahmeti komentoi ankesat e banore të fshatit Blinajë që fëmijët të mos i dërgojnë në shkollen e fshatit Magure.
“Problemi i Blinajës është se ka pak nxënës. Ideja ka qenë që me siguru transportin deri te shkolla e Magures. Prindërit nuk po duan që t’i dërgojnë atje, duan t’i kenë fshatin e tyre.”, tha ai, duke shtuar se për shkak se numri i vogël i nxënësve në shkollën e Blinajës edhe cilësia e zhvillimit të procesit mësimor është më e vogël.
Kryetari Ahmeti tregoi se komuna e Lipjanit është shembull në tërë Kosovën se me vetëm me taksa të mbledhura nga qytetarët e ka ndërtuar objektin e ri të komunës.
Ai kërkoi nga Qeveria ta kthej kokën edhe nga Lipjani.
“0 investime nga Qeveria për projekte të reja këtë vit. Le ta kthej krytë kah Lipjani se edhe Lipjani është në Kosovë.”, tha ai.
Imri Ahmeti lajmëroi për projektin gjigant që pritet të ndodh në Lipjan, ndërtimi i një nënkalimi për vetura dhe zgjerimin e sheshit nga lokacioni i semaforëve deri tek rrethi që gjendet afër objektit të Policisë.
Po ashtu tregoi se në shtator fillon projekti i ndërtimit të parkingut nëntokësor tek ish-objekti i komunës, kurse mbi parking do të ndërtohet një park.
Imri Ahmeti foli për rrugën Lipjan-Prishtinë, ku tha se Qeveria Kurti e ka larguar nga investimet këtë rrugë edhe pse kishin filluar punimet. Ai tha se tash rruga do të filloi nga Shtimja, e pastaj do të vij në Lipjan.
Kryetari i Lipjanit pati edhe disa fjalët për dy deputetët e Kuvendit të Kosovës që vijnë nga kjo komunë: Adnan Rrustemi(LVV) dhe Rashit Qalaj(PDK).
INTERVISTA E PLOTË:


