Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar gjatë ditës së sotme se Projektkodi Civil pritet të hidhet sërish për votim në Kuvend gjatë këtij viti.
Haxhiu u shpreh optimiste se kësaj radhe Kodi Civil do të votohet dhe nuk do të dështojë si herën e kaluar.
“Gazeta Blic” ka kontaktuar me deputeten e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi dhe e ka pyetur se si do të jetë vota e saj nëse ky Projekt Kod vjen për votim në Kuvend.
Musliu-Shoshi tha në përgjigjen e saj se kanë vendim nga Këshilli Drejtues i Partisë se nuk do të votojnë asnjë iniciativë të Qeverisë dhe asnjë projektligj.
“Kemi vendim nga Këshilli drejtues i partisë që nuk do të votojmë asnjë iniciativë të Qeverisë pra asnjë projektligj” tha shkurt Musliu-Shoshi për “Gazeta Blic”

Ariana Musliu-Shoshi, PDK
Ministrja e Drejtësisë Haxhiu ka deklaruar se Kodi Civil është shumë i rëndësishëm për avancimin e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe për integrimin në BE, sidomos në prag të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Siç jeni në dijeni, Kodi Civil është në agjendën legjislative, është një dokument i rëndësishëm që ka të bëjë me avancimin e të drejtave të njeriut. Unë nuk mendoj që ka qenë e drejtë që janë marrë vetëm me një nen sepse trajton shumë institute, është thjesht në interes të qytetarëve të Kosovës, prandaj të gjitha partitë politike, mazhoranca e opozita e kanë për obligim që ta mbështesin atë, megjithatë ne gjatë kësaj kohe kemi qenë në diskutime me Grupin Parlamentar, me deputetët të cilët kanë pasur mendime të ndryshme nga atë që e përfaqëson Lëvizja Vetëvendosje por unë jam optimiste që kësaj radhe, gjegjësisht brenda këtij viti në momentin kur do ta procedojmë në Qeveri dhe në Kuvend, nuk do të dështojë sikurse herën e kaluar”, ka thënë ajo, raporton Gazeta Blic.
/Gazeta Blic/
Haxhiu: Kodi Civil kalon këtë vit, do t’i kemi edhe votat e deputetëve të VV-së që ishin kundër


