Shqipëria do të përballet, në kuadër të kualifikueseve të EURO 2024, me Republikën Çeke më 7 shtator në Pragë dhe me Poloninë më 10 shtator në “Air Albania”.
Kuqezinjtë kërkojnë rezultate sa më pozitive në këto dy takime, duke bërë më pas një tjetër hap të madh drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian, shkruan GazetaBlic Sport.
Të drejtuarit e Sylvinhos janë momentalisht në vendin e dytë në grup, duke siguruar 6 pikë nga 3 ndeshjet e para, me një humbje ndaj Polonisë dhe dy fitore ndaj Moldavisë, respektivisht Ishujve Faroe.
Trajneri i mirënjohur shqiptar, Mirel Josa në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’ tha se të dy ndeshjet janë të vështira, por që fokusi duhet të jetë tek përballja me Poloninë.
“Të them të drejtën, këto janë dy ndeshje të vështira, të cilat lidhen me njëra-tjetrën. Republika Çeke është e avantazhuar si rezultat i pozicionit të saj në klasifikim. Ne si Shqipëri duhet t’i japim rëndësi ndeshjes me Poloninë. Është e vështirë të përballosh 2 ndeshje brenda pak ditëve. Rëndësi ka ndeshja me polakët“, tha trajneri Josa.

Më pas, trajneri Josa u pyet edhe për mundësinë e kualifikimit të madh të Shqipërisë në ‘Euro 2024’, atje ku shfaqi optimizmin e tij.
“Jam optimist për mënyrën që është shfaqur Shqipëria, vendosjen në fushë dhe oreksin që kanë si skuadër”, përfundoi Josa për ‘GazetaBlic’.
Kujtojmë që dje ka nisur grumbullimi i kombëtares, kurse sot do të zhvillohet edhe seanca e dytë stërvitore.

/GazetaBlic Sport/


