Shqipëria do të ketë dy ndeshje të rëndësishme për kualifikimet për Kampionatin Evropian.
“Kuqezinjtë” do të përballen me Republikën Çeke me 7 shtator në udhëtim dhe me Poloninë me 10 shtator në Shqipëri, shkruan GazetaBlic Sport.
Kombëtarja e Shqipërisë ndodhet në pozitë të favorshme në grupin E të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, aty ku ka grumbulluar 6 pikë në 3 takimet e para duke u pozicionuar në vendin e dytë pas Çekisë që prinë grupin me 7 pikë.
Gazetari i njohur nga Shqipëria, Klaudio Ndreca ka folur për “GazetaBlic Sport” në lidhje me dy takimet e radhës së Shqipërisë ku u shpreh optimist që Shqipëria do të ketë rezultate pozitive në këto dy duele.
“Presim shumë, për faktin që Shqipëria ka mundësinë si asnjëherë tjetër për t’u kualifikuar në Evropian dhe këtë herë pa patur kombinime rezultatesh siç kishim herën e parë që shkuam në Evropianin e Francës apo ato pikët e fituara me Serbinë që gjithmonë kanë lënë “hije dyshimi” nëse Shqipëria mund të kishte vërtetë forcën reale për t’u kualifikuar, pasi morëm 3 pikët në tavolinë ndaj Serbisë dhe gjithmonë ka pasur disa zëra që nëse ato pikë nuk do fitoheshin ashtu, Shqipëria nuk do ishte kualifikuar. Sa i përket këtyre dy ndeshjeve, qëllimi jonë duhet të jetë më shumë ndeshja e dytë ndaj Polonisë sesa kjo e para ndaj Çekisë. Duke parë situatën e grupit, besoj që nëse Shqipëria arrin të fitoi me Poloninë i mjafton pastaj vetëm një pikë me Çekinë dhe nëse kryen detyrën me ekipe që janë më të dobëta. Kështu që mendoj se fokusi ynë duhet të jetë te ndeshja me Poloninë, ku nuk lejohet asnjë rezultat tjetër përpos fitores. Pra presim një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri që nuk gabon për një ndeshje vendimtare, ndoshta jam më optimist por besoj që do largohemi me 4 pikë nga këto dy takime, në mos me gjashtë pikë. Besoj që ndaj Çekisë do ketë shumë gola, nuk besoj që do jetë një takim pa gola apo barazim 1 me 1. Besoj që do jetë një dramë me plotë gola dhe shpresoj që këtë dramë ta fitoi Shqipëria“, tha fillimisht ai.
Ndreca i dha merita të mëdha trajnerit, Sylvinho për lojën që po tregon Shqipëria duke shtuar se ka meritë të madhe edhe në bindjen e Mujës për t’iu bashkuar “kuqezinjëve”.
“Fakti që Muja dhe Daku janë te Shqipëria është edhe meritë e Sylvinhos. E ka pranuar edhe vet Muja, Sylvinho dhe Zabaleta kanë shkuar në Belgjikë, këtu nis ndryshimi që në momentin e parë kur Sylvinho erdhi te Shqipëria e ka bërë të qartë që vëzhgimi nga afër është shumë i rëndësishëm për të ai shkon shpesh nëpër stadiume nëpër Evropë dhe bisedon me ta, këtu nis i gjithë ndryshimi. Këtu ishte ajo ku vuante Shqipëria, nuk kishte shumë takime me lojtarët. Nëse kthehemi te koha e De Biasit, De Biasi gjente lojtarë që as gazetarët nuk i njihnin që ekzistonin, ndërsa në kohën e Rejës dhe Panuccit kishim shumë lojtarë që gazetarët i njihnin, por jo trajnerët. Sylvinho ka kthyer lojtarë që publiku ndoshta i ka harruar, por kanë shkëlqyer siç është rasti i Jasir Asanit. Tjetër pikë e fortë e Sylvinhos është grinta që u jep lojtarëve. Tashmë stadiumi është i tejmbushur si në ndeshje ndaj Moldavisë, por tashmë të gjitha biletat për Poloninë janë shitur një muaj para takimi dhe kjo tregon se ku na ka dërguar ky trajner“, tha Klaudio Ndreca për GazetaBlic Sport.


