Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vendim që ta bojkotoj seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, që e ka thirrur opozita në lidhje me librat shkollor.
Kështu kanë thënë për Gazeta Blic, burime nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Kemi marrë vendim që ta bojkotojmë seancën e thirrur nga ana e opozitës“, tha ky burim i Gazeta Blic.
Gazeta Blic merr vesh se shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari- Lila pritet ta mbajë një konferencë për media në lidhje me këtë çështje.
Ndryshe deputetët e opozitës, të cilët janë anëtarë të Komisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, të premten e kanë iniciuar iniciuar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për 4 shtator.
Arsyeja e thirrjes së seancës ka të bëjë, sipas tyre, me mungesën e furnizimit të mbi 200 mijë nxënësve me tekste shkollore.
“Pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente”, ka njoftuar Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës.Çështje e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor, ka qenë temë debati ditët e fundit, për shkak se MASHTI ka vendosur të bëj subvencionimin e librave deri në 80 euro për nxënës.
Viteve të kaluara, sigurimi i teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor, është bërë direkt nga qeveria e Kosovës përmes shtëpive botuese.


