Sporti

Flamur Tairi: Ishim të pafat në ndeshjen e parë, dominuam ndeshjen, por humbëm – kemi më shumë kualitet se Breidablik, besojmë te kualifikimi

08/28/2023 16:53
nga:E K

Skuadra e Strugës do të tentojë përmbysjen e rezultatit ndaj Breidablik të enjten në Islandë si dhe kualifikimin në grupet e Conference League.

Ndeshja e parë e “Play Offit”  e zhvilluar në Ohër përfundoi me fitoren e Breidablik 0-1, pavarësisht se Struga kishte dominimin absolut.

Lojtari i Strugës, Flamur Tairi në një intervistë për “GazetaBlic Sport” tha se motivimi i lojtarëve është i lartë dhe skuadra e Strugës beson ende te kualifikimi në grupe pasi avantazhi i Breidablik është i ngushtë.

“Kemi bërë një ndeshje të mirë, pavarësisht rezultatit. Dominuam gjithë ndeshjen, krijuam shumë raste të shënimit dhe realizuam një gol të cilin na u anulua me VAR. Në momentin tonë më të mirë, u goditëm nga një gol që duhej të evitohej. Gjatë gjithë ndeshjes kemi sulmuar për të barazuar, por fati nuk ishte në anën tonë.

Kemi një rezultat të ngushtë ku me një gol tonë gjithçka do të rihapet dhe do të fillojë nga fillimi. Ekipi duket shumë i motivuar dhe shkojmë për t’u kualifikuar. Besoj se jemi një ekip më cilësor se Breidablik, me gjithë respektin për ta.

Po, është e vërtetë, jemi shumë afër grupeve të Conference League. Kemi pasur një ecuri të shkëlqyer deri tani në këtë edicion dhe besoj që do të vazhdojmë kështu, sepse është një emocion i veçantë për të gjithë ne“, përfundoi Tairi për “GazetaBlic Sport“.