Lajme

“Ultimatumi“ i Macron/ Deputeti i AAK-së: Kryeministri kujton që fati i Globit është i lidhur me tre njerëz: Osmanin, Kojufcën e vetë Kurtin

08/28/2023 15:28
nga:N M

Zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë komentuar deklaratat e presidentit të Francës Emmanuel Macron, i cili tha sot se në rast se Kosova dhe Serbia ‘nuk sillen përgjegjshëm’, do të ketë pasoja, raporton Gazeta Blic.

Këto deklarata presidenti francez i bëri në një takim me disa ambasadorë, duke aluduar se situata në veriun e Kosovës shpejt duhet të normalizohet.

E, për këtë, Besnik Tahiri shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se kjo çka po ndodh me Kosovën në planin ndërkombëtar është jashtëzakonisht shqetësuese.

“Kanë kaluar disa muaj që ne po jetojmë nën sanksionet e BE-së, e njeriu që është në krye të Qeverisë po bëhet sikur s`ka ndodhur asgjë. Po kujton që fati i Globit është i lidhur me tre njerëz që janë zgjedhur me disa qindra vota. Deklarata e sotme e Presidentit francez Macron, vetëm e vërteton brishtësinë që Kosova e ka me vendet më të rëndësishme të BE-së. Shpresoj që shtatori mund ta sjell një epilog për kapërcimin e gjendjes jo normale në veri. Albin Kurti është pajtuar për zgjedhje të reja, prandaj është mirë mos të bëjë numra për zotimin që e ka dhënë“, tha ai për Gazeta Blic.

 

Macroni paralajmëron masa ndaj Kosovës e Serbisë nëse nuk “sillen me përgjegjësi”

Ndërkohë deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti tha për Gazeta Blic më herët se ulja në tavolinën e dialogut me Serbinë është çështje primare e Qeverisë Kurti.

Haliti theksoi se, Qeveria duhet të marrë hapa që nuk e penalizojnë më Kosovën.

“Që nga formimi i kësaj Qeverie, çështje e parë dhe e domosdoshme dhe çështja që Kosovës i hapen dyert është ulja në dialog me Serbinë, respektivisht me Bashkimin Evropian sepse realisht dialogu bëhet me ta”, tha Haliti.

“Mendoj që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë çdo gjë që nuk e penalizon Kosovën, kjo do të thotë të respektojë marrëveshjet e nënshkruara”, shtoi ai.

Haliti thotë se edhe në Forumin e Bledit, deklaratat e emisarëve janë të qarta sa i përket dialogut.

“Besoj që qëndrimet e dhëna të emisarëve sa i përket kësaj çështjeje është rifillimi i dialogut në vjeshtë”, përfundon Haliti për GazetaBlic.