Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i është përgjigjur ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për mënyrën e blerjes së teksteve shkollore.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ministrja Nagavci nuk është konsultuar fare me SBASHK-un për metodën që prindërit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre, e që më pas ministria t’ua rimbursojë paratë aty, përmes aplikimit në e-Kosova.
Jasharaj shton se kjo metodë është shpikje e ministrit Hekuran Murati, e që tani po përdoret nga ministrja Nagavci, por që është e palogjikshme dhe SBASHK-u e kundërshton, derisa sipas tij, shumë prindër nuk kanë mjete për t’ua blerë tekstet shkollore fëmijëve, e më pas të presin me javë e muaj për rimbursim të mjeteve.
“SBASHK-u ka pritur shumë më tepër se çfarë po thotë zonja Nagavci, por ja që vazhdon ajo me njerëzit e vet brenda MASHT-it të punojë duke mos komunikuar e as bashkëpunuar me SBASHK-un e as Këshillin e Prindërve, as me drejtoritë arsimore, as me Asociacionin e Komunave, e tash na del me një zbulimtë cilin më parë e kishte bërë ministri Hekuran Murati, për t’i zhdukur sindikatat duke i shlyer tri anëtarësimet e tyre e duke thënë se duhet të regjistrohen në e-Kosova dhe prapë zonja Nagavci e përmend të njëjtën gjë. Ajo fillimisht kritikon dhe ankohet se disa shtëpi botuese i paskan ngritur shumë çmimet për tekstet dhe nga ana tjetër thotë se prindërit le t’i blejnë tekstet dhe pastaj do t’u rimbursohen paratë për blerjen e tyre. D.m.th, këta prindër në libraritë e qyteteve të tyre do t’i blejnë librat me atë çmimin që e paskan përcaktuar duke i vënë pikë shtëpitë botuese dhe pastaj ata do të ngarendin dhe do të kujdesen që të aplikojnë në e-Kosova, që shteti t’ua kthejë mjetet e harxhuara për libra”, thotë Jasharaj për Gazeta Blic.
Sipas tij, Nagavci duhet të ulet me bashkëpunëtorë, me këshilltarë dhe me kryeministrin Kurti e të thotë që ka dështuar në arsim për këtë vit, derisa pritjet kanë qenë për laptopë por nuk po ua sigurojnë as librat.
“Zonja Nagavci duhet të ulet me bashkëpunëtorë, me këshilltarët e saj, pse jo edhe me kryeministrin Kurti, të pajtohen e të deklarohen para qytetarëve të Kosovës që sa i takon arsimit në Kosovë 2023/24 kanë dështuar tërësisht dhe me libra e me tekste shkollore të reja 2023/24 do ta kishin filluar me tekste shkollore me shkumësa dhe shpuza e pa asnjë ndërhyrje në teknologjinë bashkohore, si laptopë. Pra, as këtë mundësi që të ketë tekste shkollore sikur vitet e kaluara nuk e kanë bërë, ata e dinë pse por është dështim total. Por t’i thuhet prindërve bleni tekstet se ne ua rimbursojmë është jologjike sepse këta prindër ku do t’i marrin paratë për t’i blerë tekstet. Zonja Nagavci po harron që ka familje tepër të varfra me një apo asnjë të punësuar, me shumë fëmijë në shkollë dhe këta prindër e kanë të vështirë t’i përballojnë shpenzimet tjera, edhe veshjet për vjeshtë, edhe drutë për dimër dhe tani iu shtohet edhe blerja e teksteve shkollore për fëmijët dhe ata të presin në e-Kosova se kur do t’u dalin paratë, gjë që e zbuloi Hekuran Murati, e që tani po e përdor edhe zonja Nagavci”, thekson ai.
Jasharaj kërkon që zërin ta ngre edhe Këshilli i Prindërve dhe të tregojë se prindërit të gjithë s’kanë mundësi që t’ua blejnë librat fëmijëve, e të presin për rimbursim të mjeteve.
“Ne do ta kundërshtojmë por ne nuk kemi kompetenca. Konsideroj se Këshilli i Prindërve që e riorganizoi duke ua ndërprerë mandatin këshillit të kaluar, pasi nuk i konvenonin deklaratat e tij për çëshjet në arsim, kundërshtimet për ditën e shtunë që të punohej e pushimin pranveror, andaj unë pres që ky Këshill ta ngre zërin, të reagojë e t’i tregojë zonjës Nagavci që jo të gjithë prindërit kanë para për t’ua blerë tekstet shkollore fëmijëve e për të pritur me ditë apo muaj nëse do t’ua rimbursojnë paratë Nagavci dhe Hekuran Murati ato para”, deklaron kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj./Gazeta Blic/


