Ministri i Financave, Hekuran Murati ka vazhduar sikurse Albin Kurti të lëshojë akuza në drejtim të sistemit të drejtësisë se po synon kthimin e kastës së vjetër kriminale në pushtet
Reagimi i Muratit ka ardhur një ditë pasi Prokuroria Speciale arrestoi tre të dyshuar – Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi – për dallavere me rezervat shtetërore.
Edhe ministri Murati është nën hetime në lidhje me rastin e dëmtimit të mësimdhënësve, të cilëve dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ua kishte ndalur pagat gjatë kohës së grevës.
Murati në reagim ka përmendur një rast të denoncuar për ish-ministrin Vesel Krasniqin, me pretendime se kishte shkelur ligjin sa ishte ministër.
Ministri i Financave ka thënë se prokurori që ishte ngarkuar për rastin e Krasniqit ishte Milot Krasniqi.
Ky zyrtar i Qeverisë ka thënë se prokurori nuk ka bërë asgjë prej se rasti është denoncuar nga Rozeta Hajdari.
“Sidoqoftë, me të marrë mandatin Qeveria Kurti, me datë 3 maj 2021, Ministria që drejton Rozeta Hajdari kishte dorëzuar kallëzim penal për këtë rast në Prokurorinë Speciale. A e dini se çka ka bërë Prokuroria Speciale që nga ajo ditë e deri më sot, për më shumë se dy vite? Asgjë”, ka shkruar Murati, në një reagim në Fb, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, ka një organizim për ta kthyer në pushtet partitë opozitare.
“Me sa kuptova, i ngarkuar me këtë rast qenka prokurori Milot Krasniqi. Pra përkundër faktit që kallëzimi penal përmbante të gjitha dëshmitë e nevojshme për të ngritur aktakuzë ndaj Vesel Krasniqit, Prokuroria Speciale nuk bëri asnjë hap deri më sot. Sepse luftimi i krimit e korrupsionit me sa shihet nuk është misioni i tyre, por mbrojtja e kastës së vjetër kriminale, me shpresën që një ditë ajo kastë do të kthehet”, ka shtuar ai.
Sipas Muratit, për për ta bërë më të lehtë kthimin e kastës së vjetër, sistemi i kapur i drejtësisë po luftojnë me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti, duke u munduar të bëjnë spektakle nga asgjëja.
“Po të kishte prokurori e gjyqësor që njëmend ka mision luftimin e krimit, Vesel Krasniqi do duhej të jepte llogari për shkeljet që ka bërë”, ka shtuar ai.
Por ja që Veseli ftohet për intervistë, në media e jo në prokurori. Ndërsa prokuroria bën spektakël në vend se spektaklin t’ia lërë medias./BetimipërDrejtësi


