Sporti

Senad Alirifa: Fushë Kosova mund të na nxjerrë problem, ekipet e promovuara kanë euforinë e fillimit – synojmë pozicionim sa më të lartë në tabelë

08/18/2023 12:02
nga:E K

Sezoni i ri në Superligën e Kosovës filloi në fundjavën e kaluar.

Në xhiron e parë u zhvilluan katër ndeshje, kurse ndeshja mes Gjilanit dhe Fushë Kosovës nuk u zhvilua, shkruan GazetaBlic Sport.

Malisheva e nisi mirë sezonin me fitore ndaj Dukagjinit me rezultat 0-1, kurse trajneri i kësaj skuadre në një prononcim për “GazetaBlic Sport” u shpreh i lumtur me startin e tyre duke thënë se skuadra e Malishevës ka krijuar një grup që do jetë konkurrues për këtë stinor në Superligën e Kosovës.

Senad Alirifa poashtu komentoi ndeshjen e ardhshme të tyre ndaj Fushë Kosovës ku potencoi se kjo ndeshje nuk do jetë aspak e lehtë marrë parasysh faktin që skuadra kundërshtare ka euforin e sapo inkuadrimit në ligën elitare të Kosovës.

“Fillimi ka qenë i mbarë për ne, kemi punuar maksimalisht në fazën parapërgatitore. Kjo lojë e parë ka treguar që Malisheva do jetë një ekip konkurrent në këtë kampionat dhe një ekip shumë serioz. Ndaj Fushë Kosovës presim fitore pas tre pikëve të plota që morëm në një terren shumë të vështirë, megjithatë duke pasur parasysh se ekipi i Fushë Kosovës është ekip i sapo inkuadruar në Superligë, këto ekipe në fillim të kampionatit kanë euforinë dhe mund të na bëjnë shumë probleme”, tha Alirifa.

Jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam në dispozicion, realisht kemi disa mungesa që po presim që të rikthehen dhe të bëhemi një ekip edhe më i fortë për vazhdimin e kampionatit. Sa i përket objektivave ne synojmë që të jemi sa më lartë në tabelë, është pak herët për shkak se është java e parë, java e dytë, por realisht kemi synimet që të jemi në 4-5 vendet e para. Ne po shqyrtojmë që të sjellim edhe dy lojtarë cilësorë në ekip dhe nëse arrijmë që t’i sjellim edhe këta dy lojtarë besoj që edhe garat evropiane janë të kapshme për Malishevën“, përfundoi Alirifa për GazetaBlic Sport.