Imer Zeqiri kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës ka folur për Gazeta Blic lidhur me protestën e 40 shërbyesve civilë.
Ai tregon se janë duke pritur që të veprojë Qeveria e Kosovës apo Ministria e Punëve të Brendshme.
Zeqiri thotë se me prezantimin e ligjit të pagave nuk është bërë klasifikimi i drejtë i profesioneve të këtyre punonjësve duke mbetur me koeficientin më të ulët të mundshëm, dhe se kërkesa e tyre është që të përmirësohet.
“Kjo ka qenë një kërkesë që nga implementimi i ligjit të pagave dhe që kemi pas premtime edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Qeveria se do të bëhet kjo, dhe tani po kalon muaji i shtatë që është bërë implementimi i ligjit të pagave dhe nuk është bërë asnjë përmirësim”, ka thënë kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Tutje ka theksuar se për këtë veprim janë njoftuar që moti edhe Qeveria e Kosovës edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe se e kanë të qartë se punëtorët nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave.


