Sporti

Hodaj për tifozët e Lirisë: Emocionet ishin tejet të mëdha, s’kam luajtur ndonjëherë me aq shumë tifozë në stadium, i premtojmë atyre angazhim maksimal

08/14/2023 11:50
nga:L J

Drilon Hodaj, portieri i Lirisë thotë se dje ishte jashtëzakonisht i emocionuar në ndeshjen ndaj Ballkanit, pasi në shkallët e stadiumit ishin rreth 7 mijë tifozë të pranishëm.

Skuadra e Lirisë humbi ndaj Ballkanit me rezultatin 0:1, megjithatë, prizrenasit ndihen tejet të lumtur me ekipin e tyre dhe rikthimin në Superligë, andaj përkrahja nuk mungoi dhe premtojnë se nuk do të mungojë as në ballafaqimet e ardhshme.

“Sigurisht që emocionet ishin të mëdha, duke ia shtu edhe faktin që jemi rikthy në Superligë pas katër viteve. Ishte ndeshja me më së shumti tifozë që kam luajtur personalisht ndonjëherë dhe besoj që shikuesit nuk janë ndarë të zhgënjyer me atë se çka kemi ofruar të dyja ekipet”, tha Drilon Hodaj për ‘GazetaBlic Sport’.

Hodaj thotë se të gjithë lojtarët e Lirisë janë ndier mirë për përkrahjen e madhe që morën, teksa premton se nuk do të jenë kundërshtar indifert ndaj asnjë ekipi.

“Me gëzon fakti që kemi pasur përkrahje masive nga qytetarët e Prizrenit dhe tifozeria Arapgjikt’t. Të gjithë lojtarët pa përjashtim jemi ndier jashtëzakonisht shumë mirë, edhe besoj se me lojën e treguar dje kemi dëshmuar që nuk do të jemi ekip indiferent ndaj asnjë kundershtari”, vazhdoi ai.

Në fund, Hodaj shtoi se ndaj Dritës pret mbështetje të njëjtë – por edhe fitore.

“Luajmë përsëri në shtëpi ndaj Dritës, besojmë dhe shpresojmë se do ta kemi përsëri përkrahjen e njejtë. Prizreni është qytet i kulturës, traditës dhe i sportit, dhe shpresojmë se me një atmosferë të tillë siç ishte dje, do ta festojmë fitorën e parë së bashku me qytetarët e Prizrenit dhe tifozët Arpagjik’t”, përfundoi ai.

Kujtojmë se në fundjavë, Liria e pret Dritën në stadiumin “Përparim Thaçi”.

/GazetaBlic Sport