Lajme

Kurti: Rruga Prizren-Tetovë, projekt rajonal që zhvillon dy vendet

08/11/2023 20:03
nga:Y I

Kryeministri Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës që i ka bërë Tetovës, tha zhvillimi ekonomik duhet të jetë edhe zhvillim rural dhe nuk duhet të jetë i rezervuar vetëm për zonat urbane.

Shefi i ekzekutivit kosovar nga fshati Vicë i Tetovës, promovoi idenë e lidhjes së turizmit malor mes Tetovës dhe Prizrenit, përmes rrugës së re.

Ai bëri me dije se rruga Prizren-Tetovë është shumë me rëndësi për dy anët e kufirit.

”Në bazë të llogaritjeve për këtë rrugë nuk është kosto shumë e lartë, por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm, meqenëse shkurtohet rruga”, theksoi Kurti.

Ai tha se ky projekt është rajonal dhe ndihmon në zhvillimin e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.

Kurse zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se kjo rrugë është shumë e rëndësishme.

Ai tha se variantin që është përzgjedhur është me një tunel mbi 6.4 km.

Durmishi tha se rruga Prizren-Tetovë, është e mirëseardhur në dy anët dhe do të jetë një mundësi e mirë për zhvillim të turizmit malor.

Kurse kryetari i Tetovës Bilall Kasami, tha se rruga duhet të bazohet në punën e dy qeverive./RTK/