Lajme

Fitorja e parë

08/03/2023 11:16
nga:Flutura Kusari

Shkruan: Flutura Kusari

Gjykata sot ka vendosur ta bllokojë qeverinë në tentativën e saj që ta mbyllë Klan Kosovën. Vendimi është masë e përkohshme apo masë e sigurisë e cila është në fuqi derisa të vendoset për padinë në tërësi.

Sipas vendimit, argumentet që e kanë shtyrë gjykatën që të shtyjë ekzekutimin e vendimit të MINT janë:

1. Vendimi e lë pa regjistrim juridik Klan Kosova dhe rrjedhimisht nuk mund të ushtrojë veprimtari ekonomike
2. Vendimi do të rezultonte në marrjen e licensës nga ana e KPM-së
3. Do të ndërprehej marrëdhënia e punës e 220 punëtorëve

Por, aspektet më të rëndësishme që gjykata i ka thënë janë të njëjta me ato i kemi thënë që dy muaj që

a) Klan Kosova i ka bërë përmirësimet e duhura teknike në regjistrimin e biznesit në Maqedoni dhe

b) vendimi ka pasoja për lirinë e mediave.

Vendimi i sotëm gjyqësor – ndonëse i përkohshëm – është indikator shumë i fuqishëm që tenativa e qeverisë për të mbyllur Klan Kosova është e kundërligjshme, arbitrare, joproporcionale dhe me rrezik të madh për pluralizimin e mediave.

Ky vendim i jep hapësirë Klan Kosovës që të vazhdojë lirshëm operimin në dy tri vitet e ardhshme derisa gjykata të vendosë për padinë e tyre. MINT me siguri apelon por besoj edhe apeli vendosë njëjtë.

Sidoqoftë, ky vendim nuk e ndryshon qasjen e qeverisë që me çdo kusht dhe në çfardo forme i lufton mediat dhe gazetarët – duke i denigruar me gjuhë të rrezikshme dhe me pasoja për ta, duke mos i mbrojtur fizikisht gjatë tensioneve dhe duke provuar t’i mbyllë ato.

Komisioni i Pavarur për Media (KPM) është i obliguar që të lëshojë vendim me të cilin konfirmon që çështjen e certifikatës së biznesit të Klanit do ta adresojë pas vendimit final gjyqësor.

Mos të harrojmë, në një moment të rëndësishëm për lirinë e mediave, KPM-ja është tregu profesionale, e drejtë dhe qartësisht në anën e lirisë së medias, si asnjëherë më parë. Kam besim në kryetarin e KPM-së dhe në disa anëtarë. Bravo.

Për fund, solidarizimi i gazetarëve dhe mediave me njëri tjetrin ka qenë shembullor. Ju lumtë, jeni të mrekullueshëm.