Lajme

AGK u bën thirrje mediave që të dalin nesër në protestë kundër vendimit për Klan Kosovën

07/30/2023 21:30
nga:Genita C

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) u ka bërë thirrje gazetarëve, kameramanëve e fotoreporterëve, si dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile, që t’i bashkohen protestës së nesërme.

Sipas njoftimit, protesta do zhvillohet nesër me fillim nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.

‘’Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, t’i bashkohen protestës nesër në orën 12:00, në Sheshin Zahir Pajaziti’’, thuhet në njoftim.

Theksojmë se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka informuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë të premten vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”.

MINT ka potencuar se vendimi i komisionit e përmbyll këtë rast brenda ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.