Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar sot se Partia Demokratike e Kosovës nuk merr pjesë në asnjë votim në Kuvend, pa u shpërbërë kjo legjislaturë.
“Ne marrim pjesë në votim në Kuvend, vetëm kur të shpërbëhet Kuvendi”, ka deklaruar Tahiri raporton Gazeta Blic.
Pas deklaratës së Tahirit kanë ardhur reagimet e para nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Deputeti i kësaj partie, Arbër Rexhaj, tha për “Gazeta Blic” se ky vendim i marrë nga PDK-ja, nuk e pengon asgjë Lëvizjen Vetëvendosje pasi nuk u nevojitet ndonjë votim prejt tyre.
Rexhaj tha se kjo i bën dëm vetëm qytetarëve të Kosovës.
“Sigurisht që është vendim i tyre, është legjitime që PDK-ja ka vendimet e veta. Kjo ne nuk na pengon asgjë, nuk na nevojitet as ndihmë dhe as ndonjë votim prej tyre. Mirëpo kjo i bën dëm qytetarëve të Republikës së Kosovës sepse sipas praktikave parlamentare, ‘Marëveshjet Ndërkombëtare’ të cilat nuk kanë kaluar asnjëherë pa mbështetjen e opozitës ato nuk mund të kalojnë edhe vendimi i PDK-së e dëmton drejpërdrejt qytetarin e Republikës së Kosovës” tha Rexhaj për “Gazeta Blic”

Arbër Rexhaj, LVV
Në lidhje me këtë vendim të marrë nga PDK-ja, ka folur edhe deoputeti tjetër që vjen nga radhët e pozitës, Halil Thaqi.
Thaqi tha për “Gazeta Blic” se PDK-ja ka muaj që nuk ka votuar shumë ligje në Kuvend.
“Në fakt PDK ka muaj që nuk ka votuar shumë ligje, për metodat e të bërit politikë sigurisht që marrin përgjegjësi vet subjektet politike. Por ne kemi një mandat që na e ka dhënë qytetari, gjithashtu edhe opozitës i ka dhënë mandatin që qytetari ka mendu ashtu. Pra sovrani ka vendos kush të udhëheq me qeverinë e kush të qëndroj në opozitë” tha Thaqi për “Gazeta Blic”

Halil Thaqi, LVV
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkojnë që sa më parë vendi të shkojë në zgjedhje.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi pak minuta më parë, se ka një pakënaqësi të madhe të qytetarëve me drejttimin politik të Kosovës dhe se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje.
“Rruga e rrezikshme në të cilën kjo Qeveri e ka futur vendin nuk është problemi i vetëm për qytetarët tanë: Papunësia, varfëria, inflacioni, çmimet e larta të produkteve esencial dhe shërbimet jodinjitoze shëndetësore janë renditur si pesë problemet më të mëdha sociale. 78% e qytetarëve mendojnë se punësimi në institucionet publike nuk bëhet në baza meritore. Kjo pakënaqësi qytetare, e dëshmuar edhe në pasoja reale për shtetin tonë, përmes masave dhe sanksioneve nga aleatët tanë, duhet të adresohet urgjentisht.Kjo mund të bëhet vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do t’i sillnin vendit një Qeveri të përgjegjshme dhe kredibile, e cila, përmes veprimeve të saj, do ta rikthente Kosovën në drejtimin e duhur politik – drejt integrimit të paalternativë euro-atlantik” shkruan Krasniqi raporton Gazeta Blic.
Ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vazhdojnë të insistojnë në mocionin për rrëzimin e qeverisë Kurti.
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar sot se Kuvendi kur të rikthehet në sesionin vjeshtor, që në seancën e parë duhet të nis me mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Sipas Tahirit, AAK nuk e dëshiron rrëzimin e kësaj qeverie me votat e Listës Serbe, por rrëzimin e do me votat e shqiptarëve.
Tahiri tha se ka pasur takime me shefat e grupeve parlamentare opozitare, dhe presin që në shtator ta procedojnë mocionin për rrëzimin e qeverisë.
/Gazeta Blic/
Tahiri: Ne si PDK marrim pjesë në votim në Kuvend, vetëm kur të shpërbëhet kjo legjislaturë
Tahiri: Kuvendi në shtator duhet të nis me mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti


