Lajme

Kush ‘e solli’ Listën Serbe, flet kryetari i PDK-së

07/20/2023 22:11
nga:G B

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se Lista Serbe, e cila gëzon 10 vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës, nuk është krijuar nga PDK-ja dhe në fakt nga asnjë parti shqiptare në vend.

“Kjo është në vazhdën e akuzave të pabaza të LVV-së të narracionit të tyre të rremë me të cilën e kanë intoksiku këtë shoqëri dhe e kanë krijuar një tregim të rrejshëm me të cilin edhe e kanë fituar besimin e qytetarëve, sepse nuk ka asgjë të vërtetë. Lista Serbe s’ka mujtë me u kriju prej shqiptarëve”, tha Krasniqi në emisionin Click të RTV21.

Krasniqi tha se Lista Serbe është “një mashë në dorën e Serbisë”.

Tutje i pari i PDK-së tha se në fakt kanë qenë LDK-ja dhe LVV-ja ata që i kanë dhënë prezencë Listës Serbe në Kuvend, në kohën sa kanë qenë në opozitë.

“Tendenca populiste e asaj kohe e opozitës së atëhershme, LDK dhe LVV, në vend se t’u jepej hapësirë përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës, që kanë qenë shumë ndryshe prej Listës Serbe, që të kenë një pozicion ndoshta më të favorshëm, realisht na kanë sjellë edhe Listën Serbe, kështu që është mashtrim, spekulim, gënjeshtër, të thuhet se partitë shqiptare e kanë krijuar Listën Serbe”, deklaroi Krasniqi.