Trajneri i mirënjohur shqiptar, Xhengiz Rexhepi është optimist se skuadra e Ballkanit do të kalojë tutje në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve.
Ballkani ka mposhtur Ludogorets me rezultatin 2:0 në ndeshjen e parë të zhvilluara para një jave në Prishtinë, teksa nesër duhet ruajtja e rezultatit për kalimin tutje.
Rexhepi tha për ‘GazetaBlic Sport’ se Ballkani bëri paraqitje shumë të mirë në ndeshjen e parë, por që duhet të ketë kujdes të shtuar në ndeshjen e dytë.
“Në ndeshjen e parë kundër Ludogorets, Ballkani bëri një paraqitje shumë të mirë dhe me meritë e fitoi ndeshjen. Në ndeshjen e radhës realisht pres të njëjtën paraqitje si në Prishtinë, me disiplinën taktike që është arma më e fortë e Ballkanit në sukseset e arritura. Është shumë e rëndësishme që të mos pësohet goli i hershëm, duhet që Ballkanit të ketë kujdes, sepse Ludogorets është një ekip me përvojë dhe ata dinë ta menaxhojnë lojën në mënyrë të mirë për të arritur në rezultatin final”, tha fillimisht ai

Tutje, trajneri shqiptar tha se është optimist se skuadra kosovare do të kalojë në raundin tjetër, sidomos duke u bazuar tek rezultatet e arritura, të cilat dëshmojnë përvojën e duhur.
“Unë me të vërtetë shpresoj se Ballkani ka gjasa të kalojë tutje për shkak të rezultatit në ndeshjen e parë. Të gjithë e dimë se sa e vështirë është, por duke ditur rezultatet e arritura nga Ballkani, besoj fuqishëm në rezultatin pozitiv“, përfundoi Rexhepi.
/GazetaBlic Sport/


