Temperaturat e larta që kanë ‘pushtuar’ vendin ditët e fundit kanë rritur ndjeshëm edhe numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë.
Specialistja e Mjeksisë Familjare në QMF-në numër 11 në Prishtinë, Violeta Haxhiaj-Nobrdali, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” tha se ka një rritje të pacientëve ditët e fundit.
Haxhiaj-Nobrdali tha se grup-moshat më të prekura janë të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
“Ne kemi një numër dukshëm të rritur të qytetarëve që kërkojnë ndihmë tek na. Kryesisht janë ata që punojnë në ambjent të hapur, jashtë pra punëtorët fizik, pastaj sportistat.Ne i rekomandojmë punëtorët fizik të vendosin kapele, të pijnë ujë sa më shumë, të mundohen me i shfrytëzu hijet. Ndërsa sportistat i këshillojmë që ushtrimet që ata i bëjnë çdo ditë t’i bëjnë në orët e hershme të mëngjesit apo në mbrëmje vonë”
“Piku i të nxehtit dhe vapa ndikojnë tek të gjitha grupmoshat mirëpo më të rrezikuarit janë personat e moshuar, fëmijët, personat me sëmundje kronike si psh ata që vuajnë nga sëmundjet kanceroze, personat me hipertension, ata që kanë probleme me zemër, me diabet , me pamjaftueshmëri të mëlçisë, të veshkave etj.
Ajo tha se disa nga simptomat kryesore që shfaqen janë marramendja, kokëdhimbja, vjellje dhe konvulsionet.
“Gjatë qëndrimit apo ekspozimit për një kohë të gjatë në diell mund të vihet deri tek goditja nga dielli. Simptomat që shfaqen më shpesh janë marramendja, kokëdhimbja, skuqja e lëkurës deri tek djegia. Pastaj kemi ngërçe apo konvulsione dhe vjellje”
Mjekja Haxhiaj-Nobrdali, tha se një kategori mjfat e rrezikuar nga temperaturat e larta janë edhe shtatzënat.
Ajo bëri thirrje që të njëjtat të mos dalin në periudhën kohore 10:00 deri në ora 17:00.
“Të rrezikuar nga temperaturat e larta janë edhe gratë shtatzana. Ne i këshillojmë të mos dalin prej orës 10:00 deri në ora 17:oo. Çdo punë që ato kanë për ta përfunduar duhet ta kryejnë në orët e para të mëngjesit apo mbasdites. Të rrinë në ambiente që janë më të freskëta, të konsumojnë deri në 2 litra ujë, të ushqehen shëndetshëm, psh me ushqime që kanë më shumë ujë, të përdorin pemë dhe perime që janë sezonale dhe që janë më pak të kushtueshme për xhepin tonë” Haxhiaj-Nobrdali në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”

Violeta Haxhiaj-Nobrdali, Specialiste e Mjeksisë Familjare


