Dukagjini ka fituar ndaj FC Europa në kuadër të raundit të parë eliminator të Ligës së Konferencës me rezultat 2-1.
Goli i epërsisë për skuadrën klinase erdhi nga Bujar Shabani, i cili gjuajti nga një distancë prej 20 metrash, përcjell GazetaBlic Sport.
Pak pa u mbyllur pjesa e parë, mysafirët shënuan me Jesus Pozo, i cili ishte më i gjati në zonë për të shënuar me kokë për 1-1.
Në minutën e pestë të kohës shtesë, kur ndeshja pritej të mbyllej në barazim në skenë doli Iljasa Zulfiu që shënoi për 2-1 pas një devijimi të mbrojtjes.
Portieri Kenan Haxhihamza ishte njëri ndër më të mirët tek skuadra e Dukagjinit, duke e shpëtuar portën në disa raste.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Kenan Haxhihamza tha se mund të kishin shënuar edhe më shumë gola, duke pasur parasysh rastet që kishin.
“Mëkat që nuk shënuam më shumë në rastet që i kishim, shpresoj të mos na kushtojnë në ndeshjen e kthimit, besimi ekziston tek të gjithë ata që janë pjesë e klubit, përndryshe nuk do të kishim qenë pjesë nëse nuk do të ishim ambiciozë, por nuk mjafton vetëm ambicia, duhet disiplinë, djersë mosdorëzim për të arritur qëllimin”, tha fillimisht ai

“Dëshira është të arrijmë në finale (tha duke qeshur), por të jemi realist, mjafton të kemi paraqitje dinjitoze dhe të japim më të mirën, që të mos pendohemi edhe për një vrapim shtesë nëse nuk e bëjmë, do të shkojmë për maksimumin tonë cilido që është ai“, përfundoi Haxhihamza.
/GazetaBlic Sport/


