Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një reagim ka thënë se është në interesin e të gjitha komuniteteve sot që të gjendet rruga jo vetëm e shtensionimit, por edhe bashkëpunimit.
Sipas tij, rruga e bashkëpunimit është e vetmja rrugë e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë.
“Është për keqardhje që përfaqësuesit e komunitetit serb, nuk e kishin kuptuar drejt ofertën time fisnike si kryeministër, për integrimin e tyre në institucionet e Kosovës”.
“Për fat të keq ata nuk arritën ta kuptonin se krijimi i Ushtrisë së Kosovës, kjo edhe si parakusht i anëtarësimit në NATO, do të ishte garanca më e mirë edhe për perspektivën e komunitetit serb, por e mohuan atë duke e bërë një vlerësim të gabuar dhe duke injoruar kështu proceset integruese”, tha Haradinaj.
Tutje, Haradinaj tha se vendet anëtare të NATO-s e kanë shkallën më të lartë të respektimit të të drejtave të njeriut, pavarësisht etnisë, gjë që sipas tij, do të ishte garancë edhe për komunitetin serb dhe të drejtat e tyre.


