Lajme

Marrëveshja për deeskalim të situatës në veri, Krasniqi: Qeveria u zmbraps nga qëndrimet e gabuara – shpërfillja e aleatëve me pasoja për vendin

07/12/2023 08:34
nga:G B

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka komentuar arritjen e marrëveshjes së Kosovës me BE-në për deeskalim të situatës në veri.

Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ulja në tavolinë dhe dakoordimi me BE-në nënkupton zmbrapsje të qeverisë nga qëndrimet e saja të gabuara dhe me pasoja të mëdha për Kosovën.

“Në një formë ose tjetër, ulja në tavolinë dhe dakordimi me BE-në me qëllim të shtensionimt të situatës në pjesën veriore të vendit, nënkupton zmbrapsje të qeverisë nga qëndrimet e saja të gabuara dhe me pasoja të mëdha për Kosovën”, thotë ajo.

Sipas Krasniqit, është e vonuar pasi janë shpërfillur aleatët e janë tallur me ta dhe se të gjitha do të kenë pasoja për vendin.

“Tani kjo përpjekja e tyre për të kontribuuar në pozicionin e vendit është e vonuar, sepse deri më tash janë shpërfillur aleatët tanë, madje ka pasur raste kur janë ofenduar dhe janë tallur me ta, siç e kemi rastin e fundit kur kryediplomatja del edhe thotë se BE-ja është si një tigër prej letre. Të gjitha këto veprime përbëjnë pasoja të mëdha për vendin dhe vështirë të riparueshme”, deklaron deputetja Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/