Sporti

Shabani flet para ndeshjes së Dukagjinit me Europa FC: Do të hyjmë për ta kaluar këtë raund, kemi cilësi brenda grupit

07/10/2023 14:14
nga:E K

Skuadrat shqiptare gjatë kësaj jave do të nisin ciklin kualifikues në garat evropiane.

Dukagjini do të garojë në garën më të re europiane, Europa Conference League, aty ku përballë në xhiron e parë do ta ketë skuadrën, Europa FC.

Transferimi i ri i kësaj skuadre, Bujar Shabani ka folur për “GazetaBlic Sport” për të treguar për atmosferën brenda ekipit dhe pritshmëritë e tyre nga ky takim.

Shabani tha se skuadra është e kënaqur me shortin pasi që mund të kishin përballë edhe skuadra më të forta që në raundin e parë.

“Po realisht ne jemi te kënaqur me shortin pasi ka pas skuadra shumë më të vështira me të cilat mund të përballeshim që në xhiron e parë. Në bazë të cilësisë së ekipeve mendoj se ne jemi favoritë dhe gjithsesi se do të mendojmë që ta kalojmë këtë xhiro”, tha fillimisht Shabani.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë kemi një grup mjaft cilësor të lojtarëve dhe jemi shumë optimist që do t’ia dalim që ta fitojmë ndeshjen e parë që do ishte një sukses i madh pasi dihet se klubi luan për herë të parë në arenën ndërkombëtare. Jemi në formë të mirë dhe shpresoj që të enjten ta fitojmë ndeshjen në “Fadil Vokrri”, përfundoi Shabani për “GazetaBlic Sport”.

Kujtojmë që ndeshja e së enjtes mes Dukagjinit dhe Europa FC zhvillohet me fillim nga ora 19:00.

/GazetaBlic Sport/