Lajme

“Tallja me BE-në rrezik për Kosovën”/ Deputetja e LDK-së për Gërvallën: Duhet të shkarkohet, vetëm skandale – fatkeqësi të jetë kryediplomate

07/09/2023 11:56
nga:G B

“BE është tigër prej letra në aspektin e sigurisë”.

Kështu deklaroi dje ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në Forumin e Dubrovnikut.

Ajo tha se Bashkimi Evropian pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, në aspektin e sigurisë është “e paaftë”.

“Jemi rreshtuar për rreth 90 për qind me Perëndimin kur bëhet fjalë për Ukrainën. Të tjerët që i kemi përreth po e ndihmojnë Rusinë në agresionin e saj për pothuajse dy vjet tashmë pa sanksione nga Bashkimi Evropian. Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’ (tigër prej letre) në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”, ka thënë ajo.

Deklarata e saj ngjalli reagime të shumta, duke e kritikuar për këtë që ajo tha.

Fillimisht ishte Miroslav Lajçak që ishte i pranishëm në Forum, që i tha Gërvallës se BE është ëndrra e shumë shteteve që po i trokasin asaj në derë.

Reagime pati në Kosovë nga opozita e shoqëria civile.

Lidhur me këtë deklaratë, për Gazeta Blic, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, thotë se është fatkeqësi që Kosova ka në krye të diplomacisë së saj figura të tilla, me skandale të panumërta.

“Së pari është fatkeqësi për vendin që Kosova ka figura të tilla në krye të diplomacisë, që nuk mund t’i numërohet asnjë e arritur, përveç skandaleve të panumërta dhe qasjes së gabuar dhe denigruese ndaj aleatëve tanë”, thotë ajo.

Krasniqi vlerëson se tallja me BE-në përbën rrezik në pozicionin tonë në raport me BE-në.

“Tallja me BE-në duke i vendosur atribute përçmuese përbën rrezikim të mëtejmë të pozicionit tonë në raport me BE-në, që nënkupton humbje të përkrahjes e cila nuk ka munguar në asnjë rrethanë”, thekson deputetja e LDK-së, për Gazeta Blic.

Sipas saj, akti minimal ndaj Gërvallës është shkarkimi i saj nga posti i ministri dhe mbajtja përgjegjëse për dëmet e shkaktuara deri tani.

“Shkarkimi nga detyra e kryediplomates, është akti minimal që duhet të ndërmerret ndaj saj dhe duhet të mbahet përgjegjëse për dëmet e shkaktuara për gjatë gjithë kësaj periudhe në diplomaci e cila është karakterizuar me stagnim të plotë”, deklaron Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/