Lajme

Kryeziu kritikon Kurtin: Të ndryshojë kursin politik, nuk ia kemi borxh këtë dëm serioz ndaj Kosovës

07/06/2023 20:24
nga:G B

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se masat e BE-së e SHBA-ve kanë filluar të zgjerohen, ku edhe Ambasada Gjermane njoftoi për ndërprerjen e bashkëpunimit në disa sfera, në ditën e njëjtë që ambasadori britanik u takua me Kurtin, raporton Gazeta Blic.

Ai ka pyetur nëse ky takim është paralajmërim për masa nga Britania.

Kryeziu ka shtuar se Kurt me politikat e tij po i dëmton financat e qytetarëve, bizneset dhe ekonominë dhe se gabimet e tij po e kthejnë Kosovën në një histori të një regjimi autokratik.

Po ashtu, ai ka thënë se Kurti duhet ta ndryshojë sa më parë kursin politik dhe diplomatik, përndryshe këtë dëmtim serioz që po i kanoset Kosovës, nuk ia kemi borxh askujt, e as Kurtit.

Postimi i tij i plotë:

Masat e marra nga BE-ja dhe SHBA-të, tani kanë filluar të zgjerohen dhe të përshkallëzohen nga shtete në veprime individuale e unilaterale. Pas njoftimit nga Ambasada Gjermane për ndërprerjen e bashkëpunimit në disa sfera, të njëjtën ditë ambasadori britanik u takua me kryeministrin Kurti. A ishte takim paralajmërues përpara se të ketë një veprim publik e zyrtar për masat nga Britania e Madhe?!

Kryeministri Kurti me politikat e tij po i dëmton financat e qytetarëve në mënyrë individuale, bizneset dhe ekonominë kombëtare e politikën shtetërore. Gabimet politike dhe diplomatike që po i bën me aleatët perëndimorë, po e kthejnë padrejtësisht Kosovën nga një histori e suksesit në një histori të një republikë jodemokratike e të një regjimi autokratik.

Kurti duhet ta ndryshojë sa më parë kursin politik dhe diplomatik. Përndryshe këtë dëm serioz që po i kanoset Republikës, nuk ia kemi borxh askujt, e as Kurtit. Republika e Kosovës, më shumë se për një qeveri të izoluar dhe autokratike, ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare, zhvillim ekonomik dhe promovim të vlerave demokratike.