Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar të enjten se ka pasur disa biseda me shefat e Grupeve Parlamentare të PDK-së dhe LDK-së, për ta rrëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
AAK-ja ka iniciuar një mocion votëbesimi ndaj Qeverisë Kurti dhe për këtë, Tahiri shprehet se deputetët opozitarë kanë shprehur gatishmërinë e tyre që t’i vënë nënshkrimet dhe ta sjellin një vendim në Kuvendin e Kosovës.
“AAK-ja ka pasur pozicione shumë të qarta në Kuvend, gjatë këtyre dy viteve. Ka patur momente kur i’u kemi thënë ‘jo’ ligjeve dhe ka patur momente kur ju kemi thënë ‘po’ ligjeve, marrëveshjeve ndërkombëtare, në fakt marrëveshjes me Serbinë të njohur si plani franko-gjerman”, tha ai para gazetarëve.
“Ne kemi ngritur një mocion se mendojmë që mënyra e vetme demokratike është kjo. Ne kemi qenë shumë të qartë që nga fillimi. Sa i përket masave të Qeverisë, ne masat i bëjmë në Kuvend. Platformën e debatimit publik, adresimit të temave, ne e shohim këtu ku e kemi mandatin. Përderisa, në aspektin e bojkotimit, ne kemi marrë një vendim, vendim i cili do të reflektojë në komisione, kryesi e seancë”, shtoi ai.
Tahiri u shpreh i bindur se një shumicë shqiptare dhe e pakicave në Kuvendin e Kosovës, pa Listën Serbe, është e gatshme ta rrëzojë Qeverinë Kurti nga pushteti.
“Rruga është që partitë opozitare, kam biseduar me shefat e grupeve, kanë shprehur gatishmërinë t’i vendosin nënshkrimet dhe ta sjellim një vendim në Kuvend. Unë jam i bindur se një shumicë shqiptare dhe e pakicave, pa ‘Listën Serpska’, është e gatshme që t’ia japë verdiktin e merituar kësaj qeverie, që e dobësojë Kosovën në rrafshin ndërkombëtar dhe e varfërojë skajshmërish Kosovën në rrafshin e brendshëm”, përfundoi Tahiri.



