Shpallja e dy organizatave: “Mbrojtja Civile” dhe “Rojat e Urës” si terroriste, është dashur të shpallen edhe më herët, ngase që të dyja këto organizata i kanë të gjitha elementet që të shpallen si të tilla.
Kështu u shpreh eksperti i Sigurisë, Avni Islami, derisa sqaroi se këto dy organizata janë duke përdorur terrorizmin nacional, si dhe atë shtetëror, duke u dirigjuar komplet nga Beogradi, si dhe terrorizmin nacional, duke vënë në përdorim grupe terroriste më qëllime nacionaliste, derisa sqaroi mënyrën e zbatimit të luftës së tyre, duke qenë cak i sulmeve njësitet policore të Kosovës, pjesëtarë të KFOR-it, por edhe gazetarët.
E, lidhur me festën e Vidovdanit, për provokimet e bëra nga serbët të ardhur nga Serbia, veçmas djali i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Islami tha se organizimi i Vidovdanit në Graçanicë është bërë se nuk kishte shumë njerëz, ndonëse Serbia gjithnjë ka si synim provokimin e situatës, duke qenë se në të njëjëtën ditë ka qenë edhe dita e Kurban Bajramit dhe institucionet e Kosovës, shtoi ai, të sigurisë kanë qenë në nivel për të ruajtur qetësinë dhe sigurinë në vend.
I pyetur për kidnapimin e tre policëve të Kosovës nga njësitet e sigurisë së Serbisë, Islami tha se kjo ka të bëjë një intervenim të papritur, ndërkohë që solli një shembull të rrëmbimit më 1999, ku tre ushtarë amerikanë ishin rrëmbyer, që do të thotë, vuri në pah ai, prita është gjithnjë e papritshme.
Armët e gjetura në një veturë me targa BG, potencial për sulme terroriste
Lidhur me armët e gjetura në një veturë me targa të Beogradit, Islami tha se ato armë ishin të të gjitha llojeve që mund të kryheshin sulme terroriste.
“Derisa sulme të tilla kryhen shpesh dhe njerëzit që kryejnë këto sulme nuk arrestohen, tregon se këta njerëz janë të specializuar për akte të tilla terroriste”, deklaroi Islami në magazinën “Info Plus”, në RTK.
Asociacioni, kusht nga BE e SHBA
Lidhur me themelimin ose jo të këtij Asociacioni, Islami tha se i gjithë ky përshkallëzim në veriun e Kosovës, i gjithë ky presion ndërkombëtar dhe i gjithë ky aktivitet i Serbisë brenda territorit të Kosovës, janë duke u bërë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Qëllimi i Serbisë është që të themelohet një asociacion me kompetenca ekzekutive, ku në një të ardhme më të largët, përmes një referendumi, ajo pjesë të shpallet si pjesë e shkëputur nga Kosova”, tha Islami, duke shtuar se Serbisë i intereson territori i Kosvës dhe pasuria e saj.


