Lajme

Matoshi: Nëse Lista Serbe s’distancohet nga krimi, të shpallet organizatë terroriste

06/24/2023 18:04
nga:Astrit Gashi

Analisti Halil Matoshi në një status në Facebook ka lavdëruar policinë e Kosovës dhe ka thënë se deklarimi i ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla për t’i shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Severna Brigada” ishte e drejtë.

Ai madje thotë se edhe ndaj Listës Serbe duhet të veprohet njëjtë nëse nuk ndahet nga veprimet e organizatave terroriste.

“Aksioni i Policisë së Kosovës dhe strukturave inteligjente për kapjën e armatimit në veri të Repubikës, ishte i koordinur mirë dhe profesional.”, ka thënë Matoshi duke shtuar se mbase për këtë arsye askush nuk e kundërshtoi nga Perëndimi.

Tutje Matoshi ka thënë se ka kërkuar qysh në qershor të këtij viti që Lista Serbe të distancohet nga aktet kriminale të disa serbëve e organizatave në veri.

“Më 16 qërshor, 2023 pata shkru se Lista Srpska duhet të distancohej nga aktet kriminale të disa serbëve e organizatave në veri, që anojnë kah linçi publik ndaj KFORit, policisë kosovare dhe gazetarëve. Partitë politike në shtetin e të drejtës nuk fshehen mas maskave!”, thotë Matoshi.

Sipas Matoshit, nëse Lista Serbe vazhdon me të njëjtën agjendë, atëherë mund të penalizohet përmes pezullimit nga regjistri në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të procedohet për bashkëpjesëmarrje në akte kriminale nëpërmjet gjykatës.

“Pra, Lista serbe, nëse veprimin politik e mbështet në dhunë, tue bashkëpunu me kriminelë vendor dhe të inkursuem nga Serbia, mund të penalizohet përmes inicimit të pezullimit nga regjistri në KQZ dhe të procedohet në gjykatë me akuzë për bashkpjesëmarrje në akte kriminale.”, thotë Matoshi.

Ai ka bërë thirrje të serbët e Kosovës të shkëputen nga kriminelët e organizuar sipas tij nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Ata duhet me i braktisë turmat e dirixhueme nga kriminelë e grupe terroriste, të cilët, po nuk u sollën para drejtësisë, nji ditë nuk do t’i kursejnë as serbët lokalë në veri.”, shkruan Matoshi.