Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi thotë se në takimin e sotëm të kryeministrit Kurti me shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, temë diskutumi duhet të jetë lirimi i pakushtë i tre policëve kosovar të kidnapuar nga Serbia.
Arifi në një prononcim për GazetaBlic tha se, pasi të ndodhë lirimi i policëve atëherë Kosova duhet të fillojë menjëherë t’i zbatojë obligimet të cilat i ka ndaj kushteve të SHBA-ve dhe BE-së.
“Po shpresojmë që palët të arrijnë të gjejnë një kompromis, por lirimi i policëve duhet të jetë primar dhe pa asnjë kusht. Kjo është e vetmja mënyrë që të fillojë deeskalimi i situatës. Pas këtij lirimi, Kosova e ka obligimin ndaj tri kushteve që ka kërkuar SHBA dhe BE-ja, përndryshe do të mbesim në këto vija të paqarta dhe pala e cila nuk tregohet tolerante në këtë rast, do të ketë pasoja. Në rend të parë, Serbisë i bie që t’i lirojë policët e Kosovës pa asnjë kusht, pastaj të gjitha të tjerat janë të diskutueshme”, tha ai.
Drejtori Ekzekutiv në ISEG, Jeton Halimi një një prononcim për GazetaBlic tha se kryeministri Kurti duhet të merr parasysh të gjitha këshillat që do t’i ofrohen sot gjatë takimit në Bruksel.
Edhe Halimi shtoi se, sot duhet të diskutohet për lirimin e tre policëve të kidnapuar nga Serbia.
“Takimi i sotë m në Bruksel pritet të mbahet ndaras mes z.Kurti dhe z.Vuçiq, shpresoj se do të ketë suksese dhe marrëveshje për shtensionimin e situatës në Mitrovicën e Veriut, dhe lirimin e tre policëve kosovar”, tha ai.
“Albin Kurti duhet t’i merrë këshillat e miqëve tanë shumë seriozisht, t’i pranojë kushtet në mënyrë që situata të kthehet në normalitet”, shtoi Halimi.
Kujtojmë se, takimet në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për të gjetur një rrugëdalje për situatën e tensionuar në veri të Kosovës me ndërmjetësim të shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell do të mbahen sot rreth orës 14:00.
Lajmin e bëri të ditur përmes një konference për media zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali.
“Takimet do të nisin rreth orës 14:00”, tha Massrali.
Po ashtu përmes një njoftimi për media në faqen zyrtare të BE-së, bëhet e ditur se pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, përfaqësuesi i lartë/zëvendëspresidenti Josep Borrell, i mbështetur nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajčák, do të presë sot në një sërë takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel.
“Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për të de-përshkallëzuar tensionet aktuale në mënyrë që t’i rikthehet zbatimi i Marrëveshjeve, në veçanti Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë ka njoftuar se pas takimit në Vatikan me Papa Françesku, do të udhëtojë për në Bruksel për takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Sipas itinerarit tim të përcaktuar për të shkuar në Bruksel nga Roma, konfirmoj pjesëmarrjen time në takimin e dialogut të nivelit të lartë të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme Josep Borrell”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se në këtë takim do të insistojë për lirimin urgjent pa kushte të tre policëve të mbajtur peng nga Serbia, de-eskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve. /GazetaBlic/
“Takimi urgjent Kurti-Vuçiq”- Deklarohen për “Gazeta Blic” nga PDK, LDK dhe AAK!


