Sporti

Kushtrim Mushica: Giresse ndoshta duhet të shkarkohet edhe nëse fiton me Bjellorusinë, nuk është trajner që bind se mund ta kualifikojë Kosovën”

06/19/2023 16:51
nga:E K

Kosova do të zhvillojë sot me fillim nga ora 20:45 ndeshje e ardhshme kualifikuese për Kampionatin Evropian në Budapest kundër Bjellorusisë.

Pas barazimit pa gola në ‘Fadil Vokrri’ ndaj Rumanisë, ‘Dardanët’ do të kërkojnë fitoren e parë në grupin I të kualifikimeve për Evropianin e ardhshëm pikërisht ndaj Bjellorusisë.

Ish portieri, Kushtrim Mushica ka folur për ‘GazetaBlic Sport‘ ku ka analizuar lojët e Kosovës duke thënë që përgjegjësia për rezultati i bie selektorit, Alain Giresse.

“Do jetë ndeshje jo e lehtë, pas rezultateve të para ku Kombëtarja e Kosovës është pritur që të ketë më shumë rezultate të mira duke parë formën e futbollistëve që po kalojnë, është dashtë që të kemi të paktën 2 apo 4 pikë më shumë se që ka Kosova tani. Kjo ndeshje do jetë mundësia e fundit për ta kapur hapin për të mbetur në garë për kualifikim. Ndeshja me Rumaninë ishte ndeshje në të cilën dominuam ndaj një kundërshtari që konsiderohet rival direkt për vendin e dytë, por sigurisht që një fitore e mundshme u pamundësua edhe nga një fushë e vështirë nga reshjet e shumta që mbizotëruan atë ditë”, tha fillimisht Mushica.

“Tash Kosova duhet të mendoj vetëm për fitore, besoj që këtë e ka parasysh edhe selektori, Giresse i cili nuk po e gjen formulën për fitore”, shtoi ai.

Mushica komentoi edhe zërat për shkarkimin e trajnerit, Alain Giresse për të cilin tha se Kosova do duhej të mendonte më herët se kujt do ia jap përgjegjësinë për ta udhëhequr Kombëtaren.

“Kur ndodhin dështimet të gjithë e drejtojmë gishtin nga selektori, mendoj që parashikimet dhe analizat do duhej të bëheshin më herët në fillim, para se të ngarkohej me punë. Me thënë të drejtën kam pas dyshimet e mia që nga fillimi, tash në këtë pikë është lehtë ta drejtojmë gishtin nga ai. Është e vërtetë që i kanë munguar rezultatet, nuk na ka bind si trajner, ndoshta nuk është dashtë ta presim as ndeshjen e kaluar, por as këtë ndeshjen që po vjen e lëre më në rast humbje. Por çka nëse fiton një ndeshje? Kjo i ndodhë gjithkujt ndoshta edhe me një selektor tjetër do vinte një fitore në katër ndeshje. Nuk na ka bind, kemi një listë të mirë të futbollistëve edhe me disa lëshime që janë bërë nuk janë lëshime që janë vetëm si mungesë e rezultateve, por janë gjëra që tregojnë që nuk është i denjë për ta udhëhequr Kosovën drejt kualifikimit, urojmë që të na befasojë nëse nuk është në plane për t’u shkarkuar, shpresoj që të mos bëjë gabimet e njëjta”, vazhdoi Mushica për ‘GazetaBlic Sport‘.

Tutje ai ka komentuar edhe formën e lojtarëve të Kosovës të cilët nuk po e pasqyrojnë atë te ‘Dardanët’.

“Kjo ndodhë te shumë kombëtare tjera, kemi parë që edhe Messi dikur u kritikua te Argjentina që nuk kishte redimentin e njëjtë sikurse te Barcelona. Mos të harrojmë që te Kosova si Muriqi dhe të tjerët vijnë nga skuadra ku kanë kompaktësi, cilësi dhe u përshtaten asaj loje. Është e vërtetë që ky grup tashmë njihen me njëri tjetrin pasi kanë kaluar disa vite që janë bashkë, mirëpo nuk është e mjaftueshme sikurse te ekipet. Te ekipet kanë kohë për të qenë grupi më kompakt, si dhe profili i lojtarëve moduli i lojës e të tjera ndikojnë në lojën e tyre. Mos të harrojmë që shënuam gol ndaj Rumanisë pavarësisht se u anulua, dhe kjo tregon që lojtarët po angazhohen dhe po krijojnë raste. Në të kaluarën kemi ditë të mos jemi as të rrezikshëm, kështuqë po besoj që në Budapest do të vijnë në shprehje të gjithë këta lojtarë. Ndoshta kjo është koha më e mirë për kualifikim pasi në kualifikimet e ardhshme shumë nga këta lojtarë nuk do jenë më në zenitin e tyre kështu që duhet të shfrytëzohet maksimalisht kjo gjeneratë“, përfundoi Kushtrim Mushica për ‘GazetaBlic Sport’.