Sporti

Gundogan ia mbyll dyert Dortmundit: Bundesliga nuk është në planet e mija

06/19/2023 14:25
nga:L J

Manchester City ka përfunduar fitimin e tripletës. Kapiteni i kampionit anglez dhe evropian, gjermani Ilkay Gundogan ngriti trofeun e Champions League, dhe në të njëjtën kohë ndoshta luajti ndeshjen e fundit për klubin ku kaloi shtatë sezone mjaft të suksesshme.

Kontrata e Gundogan skadon në fund të muajit dhe ai mund të zgjedhë klubin e tij pa kompensim, përcjell GazetaBlic Sport.

Një numër klubesh janë të interesuara për Gundogan dhe janë të gatshëm t’i ofrojnë atij kontrata më të gjata dhe rrjedhimisht më të pasura financiarisht. Xavi dhe Mikel Arteta e duan atë në ekipet e tyre. Pritet që Gundogan të marrë oferta nga Arsenali dhe Barcelona në ditët në vijim, por e kërkon edhe Borussia Dortmund, klubi nga i cili mbërriti në Angli.

Megjithatë, Gundogan nuk duket se po mendon të kthehet në shtëpi.

“Nuk kam marrë ende një vendim për të ardhmen, ende jam duke menduar. Ka pasur kontakte me Borussia Dortmund, por jo serioze, rikthimi në Bundesligë nuk është pjesë e planeve të mia”, tha ai në konferencën për shtyp.