Deputetja e Guxo, Jeta Statovci, ka thënë se është fat i keq për Kosovën e për tërë Evropën, që një president si Vuçiq bën nxitje për luftë e vdekje edhe për fëmijët 12-13 vjeç, duke iu referuar deklaratës së tij se fëmijët serbë në Kosovë janë të gatshëm të luftojnë, raporton Gazeta Blic.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo shpjegon se pse ai i shërbeu Millosheviqit si shërbëtor në luftën në Kosovë, ku nuk u kursyen as fëmijët.
Ajo ka shtuar se në Kosovë, serbët janë më të lirë se në Serbi dhe kjo po i pengon Vuçiqit, sepse Kosova është demokraci.
Postimi i saj i plotë:
Një President si Vuçiq, që bën nxitje për luftë e vdekje edhe për fëmijët 12-13 vjeç, është fat i keq jo vetëm i Kosovës si shtet fqinj, por edhe për tërë kontinentin evropian.
Kjo shpjegon përse ky shërbëtor i kriminelit Millosheviq, shërbeu si Ministër i Propagandës në kohën e luftës në Kosovë, ku nuk u kursyen për vdekje as fëmijët nën 5 vjeç.
Kjo shpjegon edhe faktin sa shumë e ka humbur rrugën e tij, duke ushtruar dhunë në Kosovë, duke sfiduar NATO-n siç bëri dikur shefi tij, duke arrestuar policinë e shteteve fqinje dhe duke mos nënshkruar marrëveshjet për paqe.
Një kriminel merr hov në kohë krimesh, koha e krimeve në Ukrainë po motivon Presidentin Vuçiq. Në Kosovë, serbët janë më të lirë se në Serbi, e kjo po i pengon Vuçiqit, sepse Kosova është demokraci, e demokracia është tmerri i çdo të çmenduri që i do edhe fëmijët në luftë.


