Lajme

Kurti paraqet fakte se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës: Kemi shtrënguar kontrollet kufitare

06/15/2023 09:29
nga:Astrit Gashi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke theksuar se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë”.

“Për arsye të sigursië, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vinë nga Serbia, sidomos ato transportuese”, u shpreh ai.

Ai më tutje ka prezantuar edhe një hartë, përmes së cilës tre policët u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës dhe se për këtë ka gjurmë të cilat i ka parë edhe KFOR-i.

“Mund të shihni se si vendi ku janë kidnapuar tre policët tanë ndodhet 1 km, 300 metra dhe 670 metra larg prej kufirit, në thellësi të territorit të Kosovës”, tha Kurti.

Ai prezantoi edhe dy fotografi tjera të një rruge të prerë ku tha se “shihet qartazi se nuk kanë mundur këta të kalojnë tutje siç pretendon Serbia se paskan shkuar në Serbi dhe atje qenkan arrestuar”

“Pra, nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por bëhet fjalë për kidnapim në Kosovë”, tha Kurti.

Kryeministri tha se KFOR-i dhe Policia kanë parë në atë vend gjurmët e qizmeve dhe pranga, ndërsa u shpreh i habitur që misioni paqeruajtës i NATO-s s’e ka përmendur këtë.

“Në vendin e ngjarjes kanë qenë KFOR-i, ka qenë Policia e Kosovës dhe aty janë gjetur edhe gjurmët e qizmeve, këpuceve të huaja në drejtim të Serbisë, por janë gjetur edhe prangat plastike lidhëse. Pra, si është e mundur se ata prentendojnë se Policia janë arrestuar në Serbi, kur lidhëset e tyre të plastikës si pranga janë pikërisht në këtë vendin ku po themi ne”, tha Kurti.

“Ajo çfarë mua vazhdon të më habisë është që as të nesërmen me këtë të vërtetë që ne po e shpërfaqim, nuk del KFOR-i”, theksoi ai.

“Ky vend qartazi është në Republikën e Kosovës”, tha Kurti.