Kombëtarja e Kosovës do të luajë dy ndeshjet e radhës kualifikuese për kampionatin evropian “Euro2024” ndaj Rumanisë dhe Bjellorusisë.
Përveç dy kombëtareve të lartëpërmendura, Kosova ndodhet në grupin I edhe me Zvicrën, Izraelin dhe Andorrën, shkruan GazetaBlic Sport.
Ishin dy rezultate jo shumë pozitive në dy ndeshjet e para, sidomos barazimi ndaj Anodrrës, me ‘Dardanët’ që kërkojnë këndelljen në atë që mund të jetë ‘treni i fundit’ për një kualifikim të mundshëm në Evropian.
Ish futbollisti i njohur i Kosovës, Avni Pepa ka theksuar se pret të paktën katër pikë nga dy ndeshjet e radhës.
“Pres minimum 4 pikë nga këto dy ndeshje, por shpresoj të marrim 6. Duhet të jemi 100 për qind të fokusuar, sepse ndaj Andorrës nuk ishim të zgjuar me lojën tonë dhe kjo mund të jetë ndëshkuese“, tha fillimisht Avni Pepa për ‘GazetaBlic Sport’.
Ish mbrojtësi, Pepa thotë se tani s’ka më arsye dhe se ekipi duhet të jetë më ofansiv, sidomos duhet shfrytëzuar edhe epiteti i vendasit ndaj Rumanisë.
“Nëse fitojmë, kemi shpresë. Duhet të luajmë në 100% tonë ndaj Rumanisë, ne po luajmë në Kosovë, andaj edhe duhet të aplikojmë lojë ofanzive”, përfundoi Pepa.
/GazetaBlic Sport/


