Kosova gjatë këtij muaji do të zhvillojë dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Kampionatit Evropian.
Me 16 qershor, ‘Dardanët‘ presin Rumaninë në Fadil Vokrri, kurse me 19 qershor do të udhëtojë për përballjen ndaj Bjellorusisë, shkruan GazetaBlic Sport.
Para këtyre ndeshje pati polemika të shumta në lidhje me listën e lojtarëve të ftuar sidomos me emrin e Arbnor Mujës i cili u la sërish jashtë nga Alain Giresse i cili në konferencë për media tha se Muja i kishte kërkuar garanci që do luante si titullar në mënyrë që ta pranonte ftesën nga Kosova, gjë e cila u mohua publikisht nga vetë lojtari.
Trajneri kosovar, Gani Sejdiu duke folur për ‘GazetaBlic Sport‘ tha se këto probleme në kampin e Kosovës nuk janë të mira pasi po vijnë duke u bërë më të shpeshta sipas tij, dhe se Kosova po humbet disa lojtarë me potencial të madh.
“Këto janë probleme që Kosova po i has tash e sa kohë. Lista e lojtarëve të ftuar është e drejtë ekzkluzive e trajnerit, megjithatë nganjëherë duhet të lëvizin pak gjërat të jemi pak më të guximshëm në pjesën e listës, pa dashur ta kontestoj trajnerin pasi kjo është e drejtë e tij dhe ai gjithmonë ka drejtë ekskluzive se kë do e ftoj dhe kjo duhet të respektohet. Çdo trajner zgjedh lojtarët që i përshtaten stilit të tij të lojës, por grupi po mbetet i njëjtë prandaj po them që ndoshta na duhen elemente të reja dhe t’u japim besim lojtarëve të rinj, pa dashur t’iu referohem asnjë emri pasi kemi pasur raste të shumta që po përsëriten.
Ka lojtarë që na kanë ik për shkak të kësaj, duhet të dijmë që t’i bindim lojtarët kualitativ duhet të jemi pak më vigjilentë më të pjekur dhe t’u japim lojtarëve pak më shumë hapsirë. Lojtarët nuk kanë të drejtë të kërkojnë garanci për t’u futur në lojë, por ata duhet të dijnë statusin e tyre në ekip, këto janë gjëra që dallojnë e që po ngatërrohen paksa“, tha Sejdiu për GazetaBlic Sport.


