Sporti

Sekretari i Lirisë, Kajdomçaj: Jemi gjithçka në rregull, do të luajmë në Superligë – Ferizajt i dëshirojmë suksese dhe rikthim të shpejtë

06/07/2023 12:54
nga:Lorik J

Skuadra e Lirisë ka fituar ndeshjen e barazhit ndaj Ferizajt me 4 qershor në stadiumin “Zahir Pajaziti”, me ç’rast edhe fitoi inkuadrimin në Superligën e Kosovës në futboll.

Por, KF Ferizaj ka bërë ankesë zyrtare në FFK, pasi sipas tyre disa lojtarë të Lirisë kanë luajtur pa kontrata, sepse ato iu kanë skaduar me 31 maj.

Sekretari i klubit të Lirisë, Bashkim Kajdomçaj ka thënë se skuadra në aspektin ligjor është gjithçka në rregull, pasi lojtarët janë të gjithë të licensuar për sezonin 2022/23, teksa nuk kanë pasur asnjë penalizim me kartonë, apo diçka të tillë.

“Jemi gjithçka në rregull. Të gjithë lojtarët janë të licensuar deri me 30 qershor të vitit 2023. I gjithë ky debat ka qenë i panevojshëm. Ferizajt i uroj suksese në Ligën e Parë dhe i dëshiroj rikthim të shpejtë në Superligë”, tha Kajdomçaj për ‘GazetaBlic Sport’.

Kujtojmë se Komisioni i Garave të Superligës së Kosovës do të marrë vendimin zyrtar për këtë ndeshje pas disa orësh.

/GazetaBlic Sport