Neni 56 në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale tregon mirë e qartë se si në një komunë të vendit, mund të shkohet përsëri në zgjedhje, gjë e paralajmëruar sot nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani për komunat në veri të Kosovës, raporton GazetaBlic.
Sipas këtij neni, mandati i kryetarit të komunës përfundon kur ta kryejë mandatin e tij, nëse vdes, nëse jep dorëheqje, ndryshon vendbanimin, nëse shkarkohet nga detyra në pajtim me këtë ligj dhe disa pika të tjera.

Por, nëse me çdo kush kërkohet largimi i një kryetari atëherë duhet të plotësohen disa kushte primare, ashtu siç e përcakton neni 72 i këtij ligji.
Njëra ndër to është se qytetarët e asaj komune të caktuar, mund të ndërmarrin iniciativë për largimin e kryetarit të komunës, kjo kërkesë duhet të nënshkruhet nga 20 për qind e votuesve të regjistruar.
Pastaj, kërkesa e tillë i dorëzohet kryesuesit të Kuvendit të Komunës i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit.
Sipas këtij Ligji, nëse shumica e votuesëve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet.

Kujtojmë se, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.
“Unë i thash që jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha Osmani.
“Ata kërkuan nga Kosova që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri që do tu jepte qytetarëve serbë mundësinë që të marrin pjesë dhe të zgjedhin kryetarë me legjitimitet më të madh”, tha Osmani.
“Unë i informova ata që rregullimi ynë ligjor e lejon atë mundësi dhe jemi të gatshëm ta konsiderojmë bazuar në Ligjin e Kosovës për Zgjedhje”, tha presidentja Osmani.
Osmani bëri të ditur se Kosova ka shprehur gatishmëri që zgjedhjet të mbahen në rast se qytetarët serb të asaj pjese nënshkruajnë një peticion që mundëson kërkim e zgjedhje të reja.
“Kjo nënkupton që qytetarët serbë, pra rreth 20 për qind prej tyre që janë në listën votuese mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, deklaroi ajo. /GazetaBlic/
Ish-deputeti i LDK-së paralajmëron: Kurti dhe Vuçiq do të takohen shumë shpejt


