Lajme

Ish-deputeti i LDK-së paralajmëron: Kurti dhe Vuçiq do të takohen shumë shpejt

06/01/2023 20:09
nga:Genita C

Ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova thekson se takimi në Moldavi mes presidentes Osmani, presidentit francez, Macron dhe kancelarit gjerman, Scholz, ka për qëllim qetësim e situatës në veri.

Rugova në një prononcim për GazetaBlic tha se, presionet janë rritur pas deklaratave të zyrtarëve të lartë të SHBA-ve për situatën në veri të Kosovës.
“Situata në veri të vendit tonë ka qenë temë e pashmangshme e institucioneve e forumeve më të rëndësishme të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare”, tha Rugova.

“Edhe takimi në Moldavi i presidentit Macron dhe kancelarit Scholz me presidenten e vendit është në funksion të qetësimit të situatës dhe vazhdimin e përpjekjeve për jetësimin e Marrëveshjeve për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Presionet janë rritur sidomos pas deklarimeve të zyrtarëve më të lartë të SHBA-ve”, shtoi ai.

Rugova thotë se Scholz dhe Macron do të ndikojnë që të ketë shumë shpejt takim mes Kurtit e Vuçiqit.

“Në këtë forum nuk ishte i ftuar kryeministri Kurti, prandaj Scholz dhe Makron kanë shfrytëzuar rastin që të ushtrojnë ndikimin e tyre si një formë presioni diplomatik ndaj presidentes së Kosovës. Të dy liderët evropian si sponzor të planit franko – gjerman kanë insistuar për një takim Osmani – Vuçiq që ishte refuzuar nga Osmani me arsyetimin se kryeministri është përgjegjësi dhe personi kyç në procesin e dialogut. Vlerësoj se shumë shpejt me ndikimin e drejtpërdrejt të Scholz dhe Makron do të ndodhë takimi në mes Kurtit dhe Vuçiqit”, tha Rugova për GazetaBlic.

Osmani: Jemi të gatshëm të shqyrtojmë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri

Gaxherri për takimin e Osmanit me Macron e Scholz: Presidentja të bëhet e “gjallë”, duhet ta shpëtojë Kosovën nga rrënimi

Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjedhje të reja në veri