Trajneri i skuadrës së Lirisë, Xhengiz Rexhepi është deklaruar para ndeshjes më të rëndësishme të sezonit, me skuadrën e tij që do të luajë në ndeshjen e barazhit ndaj Ferizajt.
Ky takim do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 15:00, me të dy skuadrat që kërkojnë një vend në Superligën e Kosovës për edicionin e ardhshëm.
Rexhepi tha për ‘GazetaBlic Sport’ se nuk kanë çfarë të humbin nga ky takim, me presionin e madh që është komplet mbi kundërshtarin, sepse një humbje e tyre, do të nënkuptonte largim nga niveli elitar i futbollit kosovar.
“Jemi munduar që gjatë gjithë kohës të japim më të mirën, mendoj që e kemi merituar të jemi edhe kampion gjatë sezonit. Ndeshja e parë e barazhit me Ulpianën kaloi në mënyrën më të mirë të mundshme, kemi treguar shumçka gjatë lojës. Ne nuk kemi çfarë të humbim nga ky takim, vetëm mund të përfitojmë. Presioni është komplet tek kundërshtari, për shkak se mund ta humbin statusin e Superligës, por për ne është një gjë shumë e madhe nëse e fitojmë”, tha fillimisht ai.
“I kam bërë analizat e duhura sportive për këtë ndeshje. Ne kemi treguar paraqitje shumë të mira dhe çdo herë kam thënë se Liria luan shumë afër nivelit të Superligës, madje disa herë kemi qenë edhe mbi lojën e disa skuadrave të Superligës. Ndaj Ulpianës kemi fituar pa ndonjë problem të madh, me performancën 60%-70% dhe nuk kemi dalur mbi të. Besoj fuqishëm tek skuadra ime, kualitetin që ka dhe mendoj se do t’ia kthejmë Superligën qytetit të Prizrenit”, vazhdoi trajneri Rexhepi.
Krejt në fund, ai tha se do të japin gjithçka nga vetja dhe pati një premtim të madh për tifo-grupin ‘Arpagjikët’, ku tha se beson fuqishëm që do t’i gëzojnë të dielën.
“Në shumë ndeshjet e fundit ne kemi luajtur me stadiumin e mbushur, kam një përshëndetje për ‘Arpagjikët’ dhe tifozët prizrenas, pëkrahja e tyre ka qenë pikë e fortë për ne në momente shumë të rëndësishme, duke mos na lejuar që të dorëzohemi. Besojmë se do t’i gëzojmë pas ndeshjes ndaj Ferizajt, e meritojnë shumë një gjë të tillë”, përfundoi trajneri Rexhepi.
/GazetaBlic Sport/


