Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ka folur rreth paralajmërimit të presidentit të Francës se mund të ketë takim mes presidentes Osmani dhe presidentit serb, Vuçiq.
Beqa në një prononcim për GazetaBlic thotë se, kryeministri Kurti duke mos u koordinuar me aleatët tanë po bën vetëpërjashimin nga faktori ndërkombëtar.
Beqa shton se ‘përjashtimi’ i Kurtit apo Osmanin nga proceset integruese të vendit nuk është në interes të askujt.
“Kryeministri Kurti e ka obligim që të koordinohet edhe me aleatët ndërkombëtar të cilët e kanë përkrahë procesin e Kosovës në vazhdimësi. Shumë shpesh kryeministri me (mos)veprimet po bën vetëpërjashtimin nga faktori ndërkombëtar, por nuk besoj që ka dikush interes të përjashtojë atë, presidenten dhe Kosovën nga proceset integruese të vendit”, tha Beqa.
Beqa thotë se mënyra më e mirë që të dalim nga situata në veri është koordinimi me aleatët ndërkombëtar.
“Sa i përket rrethanave të krijuara, duhet të koordinohemi me miqtë ndërkombëtar që të dalim nga kjo situatë me interes të vendit”, tha Beqa për GazetaBlic.
Ndryshe, presidenti i Francës Emmanuel Macron, të mërkurën, në Bratisllavë të Sllovakisë ka fajësuar autoritetet kosovare për ngjarjet në pjesën veriore të Kosovës. Në këtë Forum ndodhet edhe Kryeministri Albin Kurti. Pikërisht aty Macron ka paralajmëruar një takim mes Presidentëve të Kosovës e Serbisë në Moldavi, ditën e enjte.
Macron ka njoftuar se shpreson se do t’i takojë dy presidentët e Kosovës dhe Serbisë Vjosa Osmanin dhe Presidentin Aleksandar Vuçiq.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
“Kreu i shtetit francez tha se shpreson të shohë presidentët e Kosovës dhe Serbisë “së bashku” të enjten, në margjinat e bisedimeve në kryeqytetin moldav, Kishinau” ka njoftuar AFP.


