Lajme

Varhelyi viziton sot Kosovën

05/25/2023 07:16
nga:Y I

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, sot do të vizitojë Kosovën.

Sipas njoftimeve të Komisionit Evropian, gjatë qëndrimit në Kosovë, Varhelyi do të zhvillojë takime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Po ashtu, zyrtari i lartë evropian do të takohet me përfaqësuesit e opozitës dhe të shoqërisë civile.

“Këto takime do të ofrojnë mundësinë për të shqyrtuar raportet mes Kosovës dhe BE-së dhe për të diskutuar për zhvillimet e fundit si dhe reformat kyçe, përfshirë ato në fushën e drejtësisë, tranzicionit të energjisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u tha në njoftim.

Por, ngjarja kryesore gjatë vizitës së tij pritet të jetë inicimi i një programi të përbashkët mes BE-së dhe Kosovë për forcimin e ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pas takimeve me krerët shtetërorë, zyrtari i lartë evropian, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, do të inaugurojnë “Programin BE-Kosovë për punë të brendshme”.

“Qëllimi i këtij programi është përshtatja e mëtejme e veprimeve të Kosovës në forcimin e ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar me standardet e BE-së”, tha KE-ja.

“Ky program i BE-së, i financuar me 6.5 milionë euro, do të zbatohet në një periudhë kohore prej tre vjetësh, me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës. Do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe do të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar”, u shtua në njoftimin e KE-së.

Sikurse për të gjitha shtetet që janë në procesin e zgjerimit të BE-së, ashtu edhe për Kosovën sundimi i ligjit, reformat në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë identifikuar si fushat kryesore që do të merren parasysh nga BE-ja në vlerësimin e gatishmërisë së këtyre shteteve për përparim drejt integrimit evropian.

Më 15 dhjetor të vitit 2022, Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.