Skuadra e Ferizajt ballafaqohet të dielën me Dukagjinin e Klinës në kuadër të xhiros së fundit të Superligës së Kosovës në futboll.
Ferizaj ndodhet në pozitën e tetë në Superligë, një pikë më shumë se skuadra e Trepçës 89′ që ndodhet në vendin që dërgon në Ligën e Parë. Në ndeshjen e fundit, Ferizj e pret Dukagjinin, kurse Trepça 89′ luan ndaj Prishtinës, shkruan GazetaBlic Sport.
Ferizajt i duhet një fitore për t’i shmangur rënies direkt, për të luajtur më pas në barazh. Futbollisti i Ferizajt, Qlirim Avdulli potencon se skuadra e tij po përgatitet maksimalisht si çdo ndeshje.
“Kjo ndeshje sigurisht se është e veçantë dhe kërkon përgatitje më shumë psiqike se sa fizike. Por ne çdo herë, për secilën ndeshje përgatitemi në maksimum. Që nga fillimi i sezonës pranverore secila ndeshje ka qenë finale për skuadrën tonë për shkak të renditjes që e kishim në vjeshtë”, tha fillimisht Qlirim Avdulli për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai thotë se do kenë mbështetje masive nga tifozët, teksa atyre iu premton se do të jap gjithçka nga vetja që të fitojnë.
“Ne i bëjmë thirrje tifozëve dhe jemi të bindur që ata do të jenë në numër masiv të dielën në Ferizaj për të na përkrahur si zakonisht. Unë personalisht ju premtoj që do të angazhohemi deri në sekondin e fundit, nuk do të kursej asgjë nga vetja në mënyrë që të arrijmë fitoren shumë të rëndësishme. Ne besojme në fitore, ne do të fitojme, sepse Superligës i duhet FC Ferizaj në stinorin e ardhshëm”, përfundoi Avdulli.
/GazetaBlic Sport


