Egla Pjetrushaj është njëra ndër gjyqtaret më të njohura në Shqipëri.
Një gjyqtare e re, me perspektivë dhe shumë autoritet në fushë, Pejtrushaj nuk është rastësisht në këtë profesion, kjo pasi që në rrethin e saj familjar, ajo është personi i 7-të që e ushtron këtë lëmi.
Pejtrushaj ka referuar shumë ndeshje vendore në Shqipëri, por tashmë ka krijuar edhe eksperiencë ndërkombëtare, me synimin që kjo gjë të vazhdojë.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ajo ka treguar fillet e saj në këtë profesion, vështirësitë dhe pasionin e madh që ka për futbollin, pasion ky që ka dominuar çdo paragjykim nga jashtë.

“Nuk ka pasur asgjë të rastësishme, pasi jam e 7-ta gjyqtare në familjen time, dëshira dhe pasioni i madh për të qenë pjesë e futbollit më bëri që të nis edhe rrugën e referimit. Mendoj se nuk ka ndarje në arbitrim përderisa futbolli ka të njëjtat rregulla si për femrat ashtu edhe për meshkujt. Nuk ka qenë e vështirë për mua sepse kam pasur mbështetje të madhe nga arbitrat e tjerë më me përvojë të kolegjiumit tonë, si dhe Federata jonë na ka mbështetur dhe i ka dhënë një prioritet shumë të lartë si futbollit të femrave ashtu edhe gjyqtareve femra. Sa i përket pjesës së paragjykimeve të shoqërisë dhe komunitetit, ato nuk më interesuan kurrë sepse ishin shumë të vogla në raport me dëshirën time për arbitrim”, tha fillimisht ajo.

Më pas, ajo u pyet edhe për momentin e saj më të mirë, me Pjetrushajn që tha se një ndër momentet më të bukura është referimi në ndeshjen miqësore me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë mes Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës
‘Arbitrimi (referimi) është një profesion, nëse mund ta quaj i tillë, që nuk mund të parashikosh se çfarë mund të ndodhë, aq sa i bukur dhe intrigues është në të njëjtën kohë. Dhe nuk mund të ketë kurrë një gjendje konstante, kështu që ka momentet e mira, si dhe momente të pakëndshme. E rëndësishme është që të mësojmë nga të këqijat dhe të kujtojmë momentet e mira. Ndër shumë momente të bukura mund të përmend një ndeshje miqësore me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë mes Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës”, përfundoi Pjetrushaj.

/GazetaBlic Sport/


