Lajme

Zvarritja e ligjit për pagën minimale, paralajmërohen protesta: Qeveria nuk e ka hallin e qytetarëve

05/23/2023 14:05
nga:Genita C

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj thotë se është duke pritur që amandamentet të cilat i ka propozuar partia e tij për Ligjin e Pagës minimale të marrin mbështetje të nevojshme.

Lekaj në një prononcim për GazetaBlic tha se, Qeveria Kurti nuk e ka hallin e qytetarëve dhe sipas tij, ata nuk duan t’ja dinë se me çka po ballafaqohet populli.

“Si grup parlamentar i AAK-së, me kohë kemi dhënë sygjerimet tona sa i përket Ligjit për Pagën Mininale. Për këtë që qëllim kemi propozuar dy amandamente të cilat presim që ta marrin mbështetjen e nevojshme. Fatkeqësisht kjo qeveri nuk e ka hallin e qytetarëve dhe trajtimin e problemeve me të cilat ata ballafaqohen”, thotë Lekaj.

Lekaj i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që ky ligj të procedohet sa më shpejt në Kuvend.

“Ashtu siç iu kemi bërë thirrje gjatë tërë kohës, i bëjmë thirrje prap qeverisë që sa më shpejt ta procedojë këtë ligj në Kuvend”, thotë Lekaj për GazetaBlic.

Në lidhje me këtë çështje GazetaBlic ka kontaktuar edhe me Faton Klinakun që aktualisht është ushtrues detyre i kryetarit në OVL UÇK, ku tha se të mërkurën do të paraqitet në komisione paga minimale.

Klinaku tha se do të bëhet përpjekje që me përkrahjen e komisionit të hiqen veteranët në rritjen e pagës minimale.Ai tha se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes po punojnë kundër interesave të veteranëve.

Klinaku nuk e përjashtoi mundësinë që të ketë protestë nga OVL-UÇK, teksa shtoi se janë në organizim të protestës.

“Po presim çfarë po ndodhë të mërkurën në Komision, ne jemi në organizim të protestës”, tha Klinaku për GazetaBlic.

Jusuf Azemi nga Sindikata e Sektorit Privat thotë se nuk e kupton zvarritjen e këtij procesi.

Azemi në një prononcim për GazetaBlic tha se, është duke munguar vullenti i qeveritarëve për ta shtyer këtë proces përpara, teksa shton se punëtorët e sektorit privat nuk po merren seriozisht.

“Nuk e di se çfarë po ndikon në zvarritjen e ligjit për pagën minimale, por kam një bindje që po mungon vullneti për të shtyer përpara këtë proces. Edhe pse kemi thënë që, për pagën që Qeveria ka propozuar neve nuk na hyn asgjë në punë, por mosndryshimi i pagës është çështje joserioze ndaj sektorit privat të Kosovës”, thotë Azemi.

“Qeveritë e mëhershme dhe kjo Qeveri nuk e kanë problemin më të vogël se sa janë duke i dënuar punëtorët e sektorit privat me këtë pagë”, shton Azemi.

Kujtojmë se, kanë kaluar 11 muaj që kur Kuvendi i ka dhënë miratimin në parim projektligjit për Pagën Minimale, por shqyrtimi i tij në lexim të dytë ende nuk ka ndodhur.

Ani pse do të duhej të procedohej brenda tre muajsh, Ligji për Pagën Minimale po qëndron në sirtarët e Kuvendit.

As Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk e ka diskutuar e as pranuar këtë Projektligj.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 deri në 170 euro, vlerë kjo e pandryshuar qysh në vitin 2011, është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Projektligji i ri parasheh që ajo të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto. Projektligji është kundërshtuar nga disa parti opozitare, të cilat kanë kërkuar që paga minimale neto të rritet në 370 euro.

Projektligji, po ashtu, nuk parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve të luftës, ashtu siç është aktualisht.

/GazetaBlic/