Spitali i Prizrenit, si më i madhi pas Qendrës Klinike e Universitare, është në pritje që të pajiset me rezonancë magnetike.
Në fakt ky institucion sekondar shëndetësor po bëhet me këtë aparaturë të avancuar pas Spitalit të Pejës ku ky i fundit e përuroi në shkurtin e këtij viti.
Megjithëkëtë stafi i radiologëve dhe teknikëve të radiologjisë nuk kanë filluar ende të trajnohen për këtë shërbim të avancuar në QKUK, ani se është planifikuar që ardhja e MRI-së të ndodhë në vjeshtën e sivjetme në spitalin rajonal të Prizrenit.
Ky institucion spitalor numëron tetë radiologë dhe vetëm gjashtë teknikë të radiologjisë, numër ky jo i mjaftueshëm sipas shefes së repartit të radiologjisë, Arta-Zhuri-Dula, kjo për faktin se gama e shërbimeve është dukshëm e gjerë.
Shefja e repartit të radiologjisë në spitalin e Prizrenit tregon se kohëve të fundit kërkesa për të realizuar Rezonancë Magnetike është rritur, dhe kjo diagnostikë kërkohet edhe nga mjekët e specialiteteve tjera.
Në këtë spital vetëm shërbime të CT-së brenda muajit kryhen 500-600 sosh.