Super derbi mes Tiranës dhe Partizanit zhvillohet sot në Shqipëri.
Në orën 18:30, në një “Air Albania” që zhurmon nga britmat e dy tifozerive, Partizani dhe Tirana do të zbresin në fushë për të vendosur fituesin e titullit kampion.
Të kuqtë duan rikthimin te ky trofe pas katër vitesh “thatësirë”, ndërsa bardheblutë kërkojnë të shkruajnë edhe një herë historinë për të fituar të dytin radhazi.
Momentalisht, Tirana është në vendin e parë me 59 pikë, kurse Partizani renditet i dyti me dy pikë më pak, 57.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, gazetari nga Shqipëria, Sokol Xhihani tha se pritet të jetë një ndeshje që do të vendoset nga episodet, atje ku skuadra që do të menaxhojë më mirë situatat, do ta fitojë ndeshjen.
“Po me shumë mundësi sot nëse njëra nga skuadrat fiton afrohet shumë me titullin kampion. Për mua nuk ka një skuadër favorite, sepse të dyja kanë pasur luhatje gjatë këtij sezoni dhe për më tepër kanë humbur shumë nga lojtarët që i janë larguar, si Tiranës po ashtu dhe Partizanit. Do të jetë një derbi që do vendoset nga episodet. Skuadra që do dijë ti menaxhojë më mirë situatat në fund do të ketë më shumë mundësi për të fituar”, tha fillimisht Xhihani.

Më pas, ai foli edhe për atmosferën e ‘zjarrtë’ që pritet të jetë në ‘Air Albania’, ku tha se pothuajse të gjitha biletat e kësaj ndeshje janë shitur.
“Stadiumi është thuajse i shitur për derbin. Kjo është ndeshja më e madhe në Shqipëri. Pritet një atmosferë e ‘zjarrtë’ por shpresoj që tifozeritë e të dyja skuadrave të dhurojnë spektakël në tribuna, por mos të ndikojnë në ndërprerjen e lojës, siç ka ndodhur në ndeshjet e kaluara, pasi në këtë mënyrë ulet shumë ritmi i lojës dhe në fund ndeshja nuk prodhon atë që pritet nga kjo supersfidë“, përfundoi Xhihani.
Kujtojmë se gjatë këtij edicioni, Tirana dhe Partizani janë përballuar 3 herë, me ‘Demat e Kuq’ që kanë dy fitore, kurse Tirana ka fituar njëherë.
/GazetaBlic Sport/


