Pas dy ditësh do të fillojë faza e “Legends Stage” në kompeticionin më të fortë në botë në CS:GO, Major, i cili po mbahet në Paris të Francës. Në këtë fazë të kompeticionit është kualifikuar direkt skuadra shqiptare, ‘Bad News Eagles’.
Ekipi shqiptar i udhëhequr nga trajneri, Jonatan “Devilwalk” Lundberg synon të vazhdojë me paraqitje të mira dhe emocione të mëdha siç kanë bërë edhe në “Major” e kaluar.
“DevilWalk” thotë se atmosfera është shumë e mirë tek ekipi, teksa janë të emocionuar për fillimin nga “Legends Stage”.
“Atmosfera në ekip është e mrekullueshme, tani kam kaluar gati 4 muaj me ta dhe ndihem shumë i lidhur me ta si person dhe ndjej se kemi një nga mentalitetet më të mira në skenë për momentin, jemi shumë të emocionuar për të treguar çfarë mund të bëjmë në “Legends Stage” dhe do të luftojmë për t’i bërë të gjithë krenarë”, tha fillimisht trajneri i Bad News Eagles për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai ka shumë shpresa se edhe në këtë garë mund të përjetojmë emocione të mëdha.
“Shpresoj se do t’i japim të njëjtat emocione të gjithëve, nuk ka garanci në jetë, por duhet të kemi besim se mund ta bëjmë dhe të punojmë shumë për ta realizuar dhe vetëm atëherë mund të emocionohemi për udhëtimin tonë”, vazhdoi ai.
Kujtojmë se trajneri i tanishëm i bNE, DevilWalk e kishte fituar Majorin e parë të CS:GO, teksa tani mund të ndodhë që ta fitojë të fundit si trajner. Ai thotë se kjo është një ide e çmendur, por do ishte e mahnitshme nëse ndodhë.
“Është disi e çmendur po dhe do të ishte një arritje e mahnitshme nëse do të ndodhë, por nuk është diçka që unë pres, ne po përpiqemi të mbajmë emocionet tona nën kontroll kur të vijë momenti, është një turne i gjatë dhe ne e bëjmë atë hap pas hapi , ditë pas dite dhe kur ndeshjet zhvillohen raund pas raundi në mënyrë që të mbajmë fokusin tonë të lartë dhe pritshmëritë të ulëta, dhe të shijojmë momentin”, përfundoi ai.
Kujtojmë se Bad News Eagles ndeshjen e parë do ta zhvillojnë ndaj ekipit ENCE.
/GazetaBlic Sport


