Me 15, maj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me kryetarët e komunave të Kosovës.
Por, derisa ka folur sot për këtë takim, Kurti në mbledhjen e Qeverisë, tha se disa komuna po ia bëjnë opozitën nivelit qendror.
“Javën tjetër do të mbajmë takimin e radhës me komunat të katërtin deri më tani. Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale, sot qeverisja lokale po përdoret për opozitë nivel qendror. Gabim ka qenë atëherë. Gabim është tani. Qeveria është e të gjithëve, edhe e komunave e komunat janë të qytetarëve jo të partive politike”, ka thënë Kurti në nisjen e mbledhjes.
Lidhur me këtë dhe takimin e pritjet nga takimi me kryeministrin, për Gazeta Blic ka folur kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit.
Ai thotë se takimi do të jetë vazhdim i takimeve të mëhershme, që kanë qenë propozim i tij, për të folur për sfidat dhe arritjet.
“Ky takim është vazhdim i takimeve të mëhershme, të filluara nga propozimi im, për të qenë sa më të informuar e të ndërlidhur për sfidat dhe arritjet tona nga niveli komunal me nivelin qendror, njëherësh, paraqitje e synimeve të përbashkëta”, thotë Lladrovci.
Ai tregon se në takimin e parë ka paraqitur 19 pika për Drenasin, por që nga atëherë nuk ka përshpjetim apo lëvizje për këto çështje.
“Në takimin e parë, i paraqita 19 pika të investimeve kapitale për Drenasin. Nga ajo ditë, nuk kemi përshpejtim apo lëvizje për çështjet e ngritura. Kjo flet shumë. Niveli qendror, është po aq yni, sa niveli lokal, për të çuar përpara agjendat zhvillimore dhe pritjet e qytetarëve”, thekson i pari i Drenasit.
Lidhur me deklaratën e Kurtit për atë se komunat po ia bëjnë opozitën nivelit qendror, Lladrovci thotë se kjo nuk qëndron, teksa shton se niveli qendror duhet t’i kuptojë shqetësimet e komunave.
“Nuk e di se mund të qëndrojë kjo, pos për ata që nuk janë institucionalistë, apo kanë mungesë njohurie për kompetencat. Niveli qendror po ashtu, duhet kuptuar drejt shqetësimet tona, sepse, ne jemi porta e parë e çështjeve jetike të qytetarëve, si arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik lokal, uji i pijes, infrastruktura, ambienti, bujqësia dhe fushat tjera me rëndësi. Të gjitha këto duan investime, aq më parë kur shtohet buxheti i shtetit. Shqetësimet tona nuk do t’i quaja presion”, deklaron Ramiz Lladrovci për Gazeta Blic.
Ai shton se pushteti lokal nuk ka fuqi për të ndikuar në nivelin qendror dhe se komunat shprehin nevojat e qytetarëve, të cilat thotë se nuk janë presion.
“Nuk besoj se pushteti lokal ka fuqi për të ndikuar në nivelin qendror, aq më pak kur dihet përbërja aktuale parlamentare. Komunat përfaqësojnë vullnet qytetar të drejtpërdrejtë dhe nuk mund t’i heshtim nevojat e qytetarëve tanë, andaj, sa më takon mua për kërkesat e parashtruara për nivelin qendror, nuk mund të them se janë presion”, potencon Lladrovci.
Po ashtu, ai thotë se sa i përket mendimit të tij për interes nacional, është i drejtpërdrejtë dhe i qartë, i njëjti që nga dita e parë, sikur para 40 vitesh.
“Ndërsa sa i takon opinionit tim rreth interesit nacional apo çështjeve me peshë për Kosovën, unë jam i drejtpërdrejtë dhe i qartë…jam i njëjti Ramiz si nga dita e parë imja kur ia kam filluar politikës kundër okupatorit, para gati 40 vjetëve”, deklaron Ramiz Lladrovci./Gazeta Blic/
Kurti paradite sulmoi kryetarët e komunave/ AKK: Na ka thirrë në takim ‘sa për sy e faqe’


